
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ditën e sotme ka zhvilluar një takim me fermerët e qarkut të Elbasanit, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha prezantoi dhe programin e qeverisjes, ndërsa theksoi vështirësitë që ka hasur sektori i bujqësisë dhe i blegtorisë gjatë drejtimit të kryeministrit Edi Rama në 12 vite.
Gjithashtu, kreu i opozitës është shprehur se qeveria ishte shkatërrimtare për fermerët, pasi sipas tij faktor ishte hapja e kufijve me prodhimet e Serbisë dhe Maqedonisë.
"Ne, vijmë në këtë takim me ju, pasi në 12 vite fermat tuaja, prodhimet tuaja, mundi juaj, ka njohur vështirësi të mëdha, humbje të ndjeshme, rrokullisje serioze. Sot, sektori i bujqësisë dhe blegtorisë, që është një sektor bazë, në të cilin punësohen rreth gjysmë milioni shqiptarë, është një sektor për të mos thënë krejtësisht, por pothuajse krejtësisht i braktisur nga kjo qeveri
Me politikën që ndoqi kjo qeveri, ishte një politikë shkatërrimtare. Hapi kufijtë, doganat për prodhimet e Serbisë, Maqedonisë, fermerë të të cilave, subvencionohen nga 5 gjer 8 herë më shumë se ju.
Emigrantët, këtë vit votojnë për herë të parë dhe ata do t’i japin vendit të tyre mbështetje historike me votën e tyre. Së bashku me ju, do ta ndajnë Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe", është shprehur Berisha.