Pas një seance maratonë që zgjati mbi 9 orë, u përmbyll shqyrtimi paraprak për çështjen e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Gjatë seancës pati debate të ashpra, ku të pandehurit kundërshtuan akuzat dhe argumentuan se prokuroria nuk disponon prova të mjaftueshme për të mbështetur implikimin e tyre.
Biznesmeni Ilir Rrapaj, ndërsa mohoi akuzat, pranoi njohjen e tij me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Në përfundim të diskutimeve, të pandehurit kërkuan që çështja të mbyllet, por në rast se kalon për gjykim, ata propozuan që procedura të zhvillohet në formën e gjykimit të shkurtuar. Ndërkohë, ish-ministri Ilir Beqaj kërkoi që procesi i tij të zhvillohet sipas procedurës së zakonshme.
Prokuroria e Posaçme vazhdoi të insistojë për dërgimin e çështjes në gjykim, duke argumentuar se ka prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzat e ngritura. Gjykata pritet të shpallë vendimin më 29 dhjetor, në orën 9:30.