Dy muaj pas miratimit në Parlament, ditën e sotme është është konstituar Komisioni i Posaçëm i dezinformimit, me kryetar Erion Braçen. Ashtu siç pritej, opozita nuk mori pjesë në mbledhje.
Gjatë fjalës së tij, Braçe shprehu keqardhjen për bojkotimin e opozitës dhe tha se ata duhet të ishin pjesë e kësaj lufte.
"Do të marrim shembujt më të mirë nga BE dhe SHBA. Opozita duhet të jetë pjesë e rëndësishme e kësaj lufte. Unë dhe kolegët e mi kemi dhënë të gjithë kohën e mjaftueshme që opozita të njihet me fenomenin ta pranojë atë. Për të zbehur çdo lloj paragjykimi, objekti i punës nuk do të jetë individi. Çdo individ ka hapësirën e vet të mbështetur në ligj. Objekti i punës së këtij komisioni është interesi kombëtar dhe siguria kombëtare. Kjo betejë nuk bëhet pa median, media ka dy statuse kontributore dhe mbikëqyrëse e punës së këtij komisioni", tha Braçe.
Ngritja e Komisionit për "Dezinformimin" u miratua me në seancën e 11 prillit, me 73 vota pro dhe vetëm 7 vota kundër, pasi demokratët e bojkotuan duke u larguar më herët nga senac plenare.
Me propozim të socialistëve, "Dezinformimi" do të drejtohet nga deputeti Erjon Braçe, sekretare Etilda Gjonaj ndërsa anëtarë të tjerë janë propozuar deputetët Bledar Çuçi, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Enslemvera Zake. Nga Demokraci dhe Integrim do jetë Melisa Doda dhe Fatmir Mediu nga Alenca për Ndryshim.
Ajo që shihet në projekt-vendim është se nuk ka emra të anëtarëve të PD, të cilët janë shprehur kundër Komisionit të Posaçëm të Dezinformimit dhe se do e bojkotojnë. Si anëtarë zëvendësues nga radhët e PS janë caktuar Bardhyl Kollçaku dhe Alban Xhelili.
Ngritja e këtij komisioni u propozua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe ka në fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.