Këtë të mërkurë, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, është mbledhur Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, ku u zhvillua një seancë dëgjimore me kryetarët e bashkive të qarkut Elbasan.
Në këtë seancë morën pjesë kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, kryetari i Bashkisë së Prrenjasit, Nurio Belba, kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Florenc Doka, kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani, dhe kryetari i Bashkisë së Peqinit, Bukurosh Maçi.
Pesë kryebashkiakët, për më shumë se 2 orë e 30 minuta, paraqitën arsyet pse bashkitë që ata drejtojnë duhet të mbeten funksionale, problemet që hasin institucionet që drejtojnë, si edhe iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të Komisionit të Reformës Administrative.
Drejtuesit e bashkive renditën si problem kryesor mungesën e burimeve njerëzore, kryesisht të specialistëve. Sipas tyre, pagat që ofrojnë bashkitë janë shumë më të ulëta krahasuar me ato që ofron sektori privat në vend.
Po ashtu, një tjetër problematikë e ngritur ishte mungesa e fondeve dhe të ardhurat e pakta që mblidhen nga taksat vendore, pasi në zonat që administrojnë nuk ka ndërmarrje të mëdha.
Ata bënë gjithashtu thirrje për mbështetjen e bujqësisë dhe ndihmë ndaj bizneseve që merren kryesisht me turizmin.
Ndërsa pyetjeve të deputetëve të opozitës për një bashkim të mundshëm mes bashkive, kryebashkiakët iu përgjigjën kundër, pasi sipas tyre mund të preken një sërë shërbimesh dhe të ulet performanca.
Pas mbledhjes me bashkitë e qarkut Elbasan, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale do të zhvillojë seanca dëgjimore edhe me bashkitë e qarkut Kukës.
