Hapësire reklamuese

Politikë

Mblidhet Komisioni Hetimor për "Shëndetësinë", Partia Socialiste e bojkoton

Shkruar nga Newsbomb
Mblidhet Komisioni Hetimor për "Shëndetësinë",
Foto nga mbledhja

Ka nisur mbledhja e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi. Është vënë re se në këtë mbledhje mungon Partisë Socialiste, e cila e ka bojkotuar këtë seancë.

Partia Socialiste mungon pasi edhe ditën e djeshme nuk pranoi që të kërkesat për informacion gjë që bëri që mbledhja të shtyhej për ditën e sotme.

Gjatë mbledhjes së djeshme që drejtohej nga kryetarja e këtij komisioni, Albana Vokshi, u vendosën dhe katër emrat e ekspertëve të cilët do të përcaktojnë pikat e hetimit. Dy nga ekspertët janë nga opozita, ndërsa dy të tjerët nga mazhoranca.

Franci Nuri dhe Meri Lika janë ekspertët e përcaktuar nga Partia Demokratike e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, ndërsa Bledar Skënderi dhe Ermir Bejtja janë dy emrat e propozuar nga socialistët.

Gjatë seancës të djeshme ka patur debate të shumta mes demokratëve dhe socialistëve. Deputetja demokrate Ina Zhupa, njëherësh dhe anëtare e Komisionit Hetimor për koncesionin e sterilizimit, është përballur me nënkryetarin socialist Plarent Ndreca, duke i thënë se ai duhet të firmosë deklaratën e konfliktit të interesave.

Sipas saj, Plarent Ndreca ka qenë avokat i disa prej personave që po përballen me drejtësinë për dosjen e "Sterilizimit" ndaj duhet të firmosë një dokument që të tregojë nëse është në konflikt interesi apo jo. Po ashtu, Zhupa ka thënë se edhe anëtarja tjetër e këtij komisioni, socialistja Milva Ikonomi ka qenë zv.ministre.

"Unë e kuptoj që zoti Ndreca është në hall të madh. Edhe pasi u çua të ikte dhe e morën në telefon, që u kthye. Ju jeni në konflikt interesi, sepse keni qenë avokat i disa njerëzve të akuzuar për Sterilizimin. Ju nuk pranuat. Firmoseni atë deklaratë dhe të shkojë në ILDKPI.

Edhe anëtarja tjetër, Milva Ikonomi ka qenë zv.ministre dhe është thirrur në prokurori për (Sterilizimin), referuar mediave. Ju keni qenë zv.ministre dhe kryetare e Vlerësimit të Ofertave dhe keni firmosur në emër të Ilir Beqaj (kur ishte ministër).

Firmosni dokumentin e konfliktit të interesave dhe ne të mos merremi më me këtë çështje. Është një detyrim që e vendos ligji, për parandalimin e konfliktit të interesave. Që ju të jeni të pastër me komisionin, të mos ngrihet e njëjta çështje me ju, edhe kur të vijnë dëshmitarët këtu. Nuk e di përse u bëre kaq emocional", u shpreh Ina Zhupa.

Kjo kërkesë e saj u mbështet dhe nga kolegu i saj demokrat Edmond Spaho. Ai kërkoi që Ndreca dhe të tjerët të firmosin dokumentin e deklarimit të konfliktit të interesave dhe më pas ILDKPI si institucion përgjegjës, të bëjë verifikimet e nevojshme.

"E para gjë që bëhet në një komision, është deklarimi i konfliktit të interesit. Tani ky është një deklarim formal që bëjmë ne. Nuk jemi ne që do të përcaktojmë pretendimet nëse "x" ka konflikt interesi apo jo. Pastaj ajo strukturë që e ka për detyrë do të përcaktojë nëse ka konflikt interesi apo jo. Kot po humbim kohë", tha deputeti Edmond Spaho.

Pasi dëgjoi kolegët, nënkryetari socialist i Komisionit Hetimor mori fjalën dhe tregoi se përse ai nuk mund të firmoste në këtë moment deklaratën për konfliktin e interesave. Ai tha se deri në momentin që nuk ka një objekt të përcaktuar të komisionit, nuk mund të firmosen paraprakisht deklaratat e konfliktit të interesave.

"Nga ne nuk ka asnjë lloj shqetësimi përsa i përket kësaj kërkese, por ju nuk dëgjoni se dëgjoni vetëm çështjet e partisë tuaj. Ua thashë shumë qartë, kjo është një marrëdhënie individuale mes deputetit dhe ligjit dhe arsyeja se përse nuk ka vend për t'u trajtuar në këtë moment, është se ne nuk kemi asnjë objekt të përcaktuar hetimi. Se nëse përcaktohet objekti i hetimit, mund të dalin edhe nga ju.

Kur të bëhen këto, atëherë është secili prej nesh që do të verifikojë këto që ju thoni. Po na humbni kohë kot. Kemi një orë dhe nuk kemi kaluar ende te rendi i ditës. A ka mundësi të fillojmë punën sipas rendit të ditës? E dyta, ekspertët që kemi përcaktuar? Nëse doni të punojmë, nëse keni defiçenca për  të folur për publikun kjo s'ka lidhje me ne dhe rendin e ditës", u shpreh Plarent Ndreca, deputet i PS.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese