
Kryeministri dhe numri një i Partisë Socialiste, Edi Rama do të mbledh në fund të kësaj jave të gjithë deputetët socialistë. Mësohet se në fokus të takimit do të jetë sesioni i ri parlamentar dhe angazhimi i deputetëve në terren për zgjedhjet e 2025.
Socialistët do të mblidhen në qytetin e Elbasanit, në një kompleks ku janë takuar dhe herë të tjera, ditën e premte më datë 13 Shtator. Këtë e ka deklaruar sot dhe kreu i grupit Niko Peleshi.
"Retreat nuk bëhet se diçka nuk shkon, por është një takim i brendshëm, jo shumë tematikë, por do të jetë një mundësi për çdo koleg për të ndarë pikëpamjet e veta, në këtë moment ku ndodhemi, në funksion të zgjedhjeve sigurisht.
Vijmë pas një takimi të Asamblesë së PS, ku siç e dëgjuat kryeministrin, u vendosën shumë objektiva, sfida, kemi një Kod të ri Zgjedhor...", u shpreh këtë të martë Niko Peleshi, kryetar i Grupit Parlamentar të PS, duke konfirmuar takimin e së premtes.
Mbledhja informale vjen rreth dy javë pas takimit në Dajt më 1 Shtator, ku kryeministri dhe kryetari i PS foli me kabinetin qeveritar për 8 orë e 30 minuta. Po ashtu, ai pason mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, e cila zgjodhi Kryesinë e re të Partisë Socialiste, dhe drejtues e rinj politikë në qarqe.
Socialistët kanë nisur furishëm fushatën për zgjedhjet parlamentare të pranverës 2025, të cilët nëse fitohen sërish nga Edi Rama dhe ekipi i tij, do të vendosin një rekord të ri pas atij të zgjedhjeve të 2021, ku Partia Socialiste mori besimin për të drejtuar vendin në mandatin e tretë radhazi, si asnjë parti tjetër në Shqipëri.
Edhe opozita ka ndezur motorët për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen me gjasë pas gjashtë muajsh dhe ka shpallur ekipin që do të dalë në terren e do të drejtojë takimet me elektoratin. Vetë lideri demokrat Sali Berisha, pavarësisht arrestit në shtëpi, ka zgjedhur 12 drejtuesit e qarqeve.
© Newsbomb.al
Sondazh