Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka qëndruar mbi 5 orë në SPAK. Në një prononcim për mediat, ajo sqaroi se është thirrur për të dëshmuar si person në dijeni për një kallëzim të bërë nga Erion Veliaj.
Sipas Kryemadhit “ushtarët” e kryebashkiakut të Tiranës e kanë denoncuar në SPAK, jo vetëm atë, por edhe vëllanë, nënën dhe fëmijët e saj.
“Isha në Prokurori t’iu përgjigjur padisë së rremë të dhënë nga Erion Veliaj. U përgjigja dhe u ballafaquam me të gjithë faktet. E lexova dhe firmosa me vetëdije të plotë. Lobimi, hetimi për inceneratorët dhe operacionet plastike janë njëmijë çështje.
Unë nuk kam bërë ndërhyrje estetike. Çdo grua që mirëmbahet nuk është ndërhyrje estetike. Cdo gjë është e faktuar. Është paditur edhe nëna ime, vëllai im edhe fëmijët e mi. Sa për celularin tim, mos u shqetësoni pasi aty ka vetëm fjalë të bukura.
Kam bërë botoks si të gjithë gratë dhe të gjithë burrat. Fëmijët e mi nuk janë marrë në pyetje. Jam nga të deputetet e pakta që kanë dorëzuar 6 padi për inceneratorin e bashkisë. Lufta ime është beteja politike, prokuororët le të bëjnë punën e tyre,” tha Kryemadhi për gazetarët.
Vlen të theksohet se Kryemadhi hyri vetëm dhe e pashoqëruar nga ndonjë avokat brenda ambienteve të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupion.
Kjo është hera e dytë që deputetja thirret në SPAK. Më herët, ajo i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve të posaçëm dhe ka dorëzuar fakte të reja për inceneratorët.
Më 11 prill, në ambinetet e SPAK u thirr për të dëshmuar për pasurinë edhe nëna e Monika Kryemadhit. Në një prononcim për gazetarët, pas daljes nga SPAK, Fatime Kryemadhi ka deklaruar se është marrë në pyetje për pasurinë.
“Jam krenare për vajzën që kam, nuk e mohoj sikur pa le se si… E di pse e sulmojnë të gjithë, që kur filloj të merret me djegësat ajo, këta filluan pastaj… Unë i sqarova të gjitha gjërat e mia këtu. U pyeta për shtëpinë, unë nuk isha pa shpi, kam punuar gjithë jetën. Për pronën time, për shtëpinë që kam. Unë s’kam qenë pa punë, se këta ma kishin nxjerrë me një pension 160 mije që paskam ble shpi unë,” tha nëna e Kryemadhit.