Në Pallatin e Kongreseve po zhvillohen homazhet në nder të figurës së Arben Tafaj, politikani dhe kreu i shoqatës "Tirana", Tafaj u nda nga jeta një ditë më parë pas një aksidenti të ndodhur brenda ambienteve të shtëpisë së tij.
Të pranishëm në ceremoninë mortore janë dhe figura të Partisë Demokratike, ndër ta dhe lideri demokrat Sali Berisha si dhe deputeti Flamur Noka. Berisha ka shprehur ngushëllimet e tij drejtuar familjarëve të Arben Tafaj, ku ndër të tjera e ka quajtur një nga përfaqësuesit më të denjë të Tiranës.
“Erdha të shpreh mirënjohjen më të thellë për Arben Tafajn, një qytetar shembullor i Tiranës, një prind, bashkëshort shembullor. Një qeveritar vendor i ndershëm, i aftë, kompetent.
Një parlamentar i kryeqytetit, i aftë, i ndershëm dhe një përfaqësues dinjitoz i qytetarisë së Tiranës.
Një njeri që i kushtoi jetën e vet, veprimtarinë e tij, mbrojtjes së vlerave të kësaj qytetarie dhe ishte pa diskutim një nga përfaqësuesit më dinjitoz të saj. I shpreh edhe njëherë ngushëllimet e mia familjes së nderuar Tafaj.
Shpreh ngushëllime për të gjithë qytetarët e Tiranës që kanë humbur një përfaqësues të shquar, për të gjithë miqtë, të afërmit e tij,” është shprehur Sali Berisha.
63 vjeçari humbi jetën në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme pasi u rrëzua aksidentalisht nga shkallët e ndërtesës së tij në Tiranë. Ai është dërguar menjëherë në spital por nuk mundi tí mbijetonte plagëve të marra.
Arben Tafaj ishte një intelektual i kryeqytetit dhe kryetar i Shoqatës "Tirana" prej vitit 2001. Ai mbante dhe titullin ndërkombëtar “Ambasador i Paqes” akorduar nga Organizata Ndërkombëtare, “Universal Peace Federation Inter-religious and International Federation for World Peace”.