Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendoer, Arbi Mazniku ka mbërritur prej mëngjesit të kësaj të hëne në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Ai është duke dëshmuar në SPAK, sipas fletëthirrjes që ka marrë, por nuk dihet se për çfarë çështje konkretisht.
Rreth një vit më parë, Mazniku u largua nga detyra si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe një ndër njerëzit më të afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj, sapo SPAK nisi të vepronte mbi këtë institucion. Ishte vetë Edi Rama që e mori atë në kabinet.
Ai është ndër njerëzit më të akuzuar nga opozita e Tiranës, bashkë me Erion Veliaj, për prishjet e pallateve dhe banesave të qytetarëve.
Pak minuta pasi Arbi Mazniku është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, para këtij institucioni ka shkuar vetë Belind Këlliçi dhe një grup aktivistësh të Partisë Demokratike. Ai është njeriu që ka marrë flamurin e denoncimeve për Bashkinë e Tiranës dhe drejtorët e saj, duke shkuar deri tek kryebashkiaku.
Para gazetarëve, Belind Këlliçi tha se thirrja e ish-nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës sot në SPAK ishte "show" i radhës për të shpëtuar kryebashkiakun Erion Veliaj. Edhe më herët kur janë arrestuar njerëzit më të afër të kryebashkiakut, politikani opozitar ka thënë se ata janë bërë "kurban" për kryetarin.
"Po bëhet çdo gjë për të tërhequr vëmendjen nga kreu i grupit kriminal, Erion Veliaj. Kjo është një thirrje e vonuar. Arbi Mazniku i ka hapur rrugë shkatërrimit të ndërtesave të qytetarëve të Tiranës për llogari të kompanisë "5D Konstruksion". Numri i banorëve të prekur nga vendimet e Maznikut është me qindra.
I takon këtij institucioni të bëjë drejtësi në këtë vend. Unë kaq mundësi kam, i kam bërë publike. Janë me dhjetëra raste që i janë drejtuar privatisht SPAK dhe Prokurorisë së Tiranës për shembjen e shtëpive", u shpreh Belind Këlliçi.
© Newsbomb.al