Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen marshimit të thirrur nga PD në Shkodër nesër, në shenjë solidariteti për viktimat e atentatit të 30 tetorit, ku humbën jetën tre persona.
Gjatë fjalimit të tij para mbështetësve, Berisha e quajti masakrën një akt të paralajmëruar dhe të licensuar nga qeveria e Edi Ramës, duke akuzuar autoritetet për mosveprim.
Ai tha se nesër qytetarët e Shkodrës, si dhe mbështetës nga e gjithë Shqipëria, do të marshojnë për të shprehur guximin dhe për të nderuar jetët e humbura.
"Nesër mbarë qytetarët e Shkodrës, qytetarë nga mbarë Shqipëria, demokrate e demokratë, opozitare e opozitarë, marshojnë në Shkodër në një akt solidariteti, guximi dhe shpirti të pamposhtur të Shkodërloces, qytetit Rozafë, që ka qëndruar dhe qëndron i pamposhtur ndaj çdo pushtimi, ndaj çdo rrebeshi.
Masakra e Shkodrës, ishte një masakër e paralajmëruar, ishte një masakër e licensuar nga Edi Rama, narkopolicia dhe narkodrejtësia e këtij sistemi.
Në atë masakër humbi jetën një nënë e tre fëmijëve, një zonjë, një motër, bashkëshorte, tek kthehej nga puna tek fëmijët e saj. Ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, bashkëshorti i saj. U ekzekutuan në publik dy të rinj, por gjer sot, gjer sot, ministri i krimit nuk ka shqiptuar një fjalë të vetme për krimin e shëmtuar të bandës së qeverisë. Gjer sot, prefekti apo kreu i bashkisë i instaluar nga banda e partisë nuk kanë guxuar të shqiptojnë një fjalë të vetme, për krimin makabër, masakrën, përgjakjen e qytetit dhe viktimat e pafajshme.
Mbrëmë kreu i krimit të organizuar në Shqipëri, Edi Rama edhe pse u pyet direkt për këtë masakër, në një akt cinik të një shpirti katran, nuk gjeti një fjalë të vetme të ngushëllonte familjet e viktimave. Nuk gjeti një fjalë të vetme të dënonte vrasësit e partisë shtet. U përgjigj se krimi sot, është më i zbrapsur se kurrë dhe se ajo vetëm ishte një tragjedi. Po se ishte një tragjedi nga përmbytja, apo aksident, apo masakër nga banda e partisë? Pra kreu i narkoshtetit, lejtnantët e tij, nuk kanë guxuar, kanë kaluar dy ditë, të dënojnë aktin kriminal, masakrën e bandës së tyre. Të shprehin ngushëllime familjes së viktimave, sepse janë sponsorizuesit, frymëzuesit e masakrës.", u shpreh Berisha.