
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka nisur mëngjesin e sotme me publikimin e disa sekuencave të shkëputura nga vizita e djeshme në Abu Dhabi ku dhe u nënshkrua marrëveshja e rëndëishme tripalëshe me partnerin italian.
Kjo marrëveshje parashikon lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri, ndërmjet, Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Republikës së Italisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.
“MIRËMËNGJES
dhe me FotoALBUMIN e ditës së djeshme në Abu Dhabi, ku u nënshkrua një marrëveshje strategjike tripalëshe për lidhjen nënujore energjetike me Italinë, si edhe marrëveshja për krijimin e Agjencisë së Përbashkët të Letrave me Vlerë, e cila ndër të tjera do të ngrejë në një nivel tjetër edhe gjurmimin fiskal të mallrave të importit, ju uroj një ditë të mbarë,” shkruan Edi Rama në rrjetin social Facebook.
Marrëveshja, e cila për palën shqiptare u nënshkrua nga Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, - bashkon vendet në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme.
Më herët, gjatë fjalës së tij në Samit, Kryeministri tha se marrëveshja do të shërbejë për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon, mbështetur në prodhimin e saj me 100 % energji të ripërtëritshme.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm Kkryeministri Edi Rama, Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed, si dhe përfqësues të qeverive të vendeve përkatëse.