
Kryeministri Edi Rama ka planifikuar një vizitë në Greqi më 12 maj. E teksa pak ditë na ndajnë nga kjo vizitë ende nuk është gjetur një vend se ku do të mbahet ky takim i kryeministrit me shqiptarët që jetojnë në Greqi.
Fillimisht u tha se tubimi do të mbahej në në Stadiumin e Paqes dhe Miqësisë (SEF) në Athinë, por duket se ka pak gjasa që të mbahet aty ky takim.
Mediat greke shkruajnë se qeveria shqiptare nuk ka bërë një kërkesë për të zhvilluar takimin në këtë stadium dhe as ka ofruar një shumë.
“Libere.gr” shkruan se qeveria shqiptare ka pasur një kontakt me sallën “Melina Merkouri” në Athinë, por që salla ka një kapacitet prej 1000 personash, ndërkohë që atyre u duhet një sallë prej 5000 personash.
Sakaq ata kanë kërkuar arenën ku luan skuadra e Olympiacos, kërkesë që sipas medias greke është bërë verbalisht dhe jo me shkrim. Mbetet për të parë se ku PS do mund të zhvillojë takimin me emigrantët.
Kujtojmë që ky tubim është quajtur provokim nga pala greke, pasi përkon pikërisht me ditën e arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili tashmë bën një vit në qeli.
Ministria e Jashtme greke i kërkoi Ramës që për shkak se janë në fazë parazgjedhore, i kërkuan atij që të shtynte vizitën për në qershor. Gjë që nuk është pranuar nga Rama.
Dje Rama me anë të një postimi në “X” sqaroi se vizita e tij nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Greqi, apo ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë.