Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer për herë të parë se do të kandidojë vitin e ardhshëm dhe për një mandat të katërt në drejtimin e Shqipërisë. Përballë pedagogut dhe analistit Mark Marku, ai ka thënë se nuk është i kënaqur me luftën ndaj korrupsionit dhe kjo e tundon për të mos e lënë drejtimin e vendit në këtë moment.
"Ne kemi sot një komplet tjetër situatë në raport me çfarë ishim, por kjo nuk mjafton, është e pamjaftueshme dhe duhet ta ngremë shumë më tepër stekën e luftës me korrupsionin në të gjithë frontin. Jo thjesht te drejtësia, por në të gjithë frontin", tha Rama.
Ai ka të ftuar në këtë podkast të radhës kritikun e tij Mark Marku, një episod sa i habitshëm aq dhe i jashtëzakonshëm, për të cilin në fillim të dy ranë dakord që t'i bëjnë pyetje me rotacion njëri-tjetrit, jo thjesht të kenë një bisedë të rëndomtë.
Kryeministri theksoi se nëse nuk do të kishte bindjen që në Shqipëri nuk ka më korrupsion, ai do ta kishte konsideruar mundësinë që në zgjedhjet e vitit 2025 të mbyllte angazhimin e tij për Shqipërinë në postin e drejtuesit të qeverisë.
"Ky është momenti që ma bën më tundues se çdo gjë tjetër, ose njëri nga dy momentet, atë pozicionin në raport me mandatin e katërt sepse në kushte të tjera nëse do kisha bindjen që s'ka më, nuk varet më a jam unë a s'jam unë në krye të kësaj force politike dhe se disa gjëra si kjo, ose diçka tjetër si plotësimi i atij mozaikut të Shqipërisë që kemi nisur me turizmin, do ishin të garantuara në vazhdimësi, mbase nuk do e kisha më këtë tundim", sqaroi Edi Rama.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:
Kështu jemi mirë dhe do vazhdojmë kështu, unë prirem të mos e them asnjëherë. Në momentin kur unë mendoj që gjëja është mirë dhe ndihem i kënaqur, nuk kam më motiv, kështu që në këtë aspekt nuk jam. Ndërkohë që është e vërtetë, nuk diskutohet që ne kemi probleme, se do ishte e kot t'i mohonim.
Ne i kemi dhënë një gjë shumë të madhe këtij vendi, që të ketë një drejtësi të pavarur nga pushteti politik. Kjo është dhe arsyeja që për herë të parë ne kemi një drejtësi që vepron e pavarur. Kemi një moment shumë të ndryshëm ndryshimi dhe garantimi i pakthyeshmërisë së këtij procesi, për mua është i domosdoshëm.
Ne kemi sot një komplet tjetër situatë në raport me çfarë ishim, por kjo nuk mjafton, është e pamjaftueshme dhe duhet ta ngremë shumë më tepër stekën e luftës me korrupsionin në të gjithë frontin. Jo thjesht te drejtësia, por në të gjithë frontin.
Ky është momenti që ma bën më tundues se çdo gjë tjetër, ose njëri nga dy momentet, atë pozicionin në raport me mandatin e katërt sepse në kushte të tjera nëse do kisha bindjen që s'ka më, nuk varet më a jam unë a s'jam unë në krye të kësaj force politike dhe se disa gjëra si kjo, ose diçka tjetër si plotësimi i atij mozaikut të Shqipërisë që kemi nisur me turizmin, do ishin të garantuara në vazhdimësi, mbase nuk do e kisha më këtë tundim.
© Newsbomb.al