
Kreu i Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha është deklaruar kundër votimit të ndryshimeve të propozura për Kodin Zgjedhor, duke e cilësuar si nja marrëveshje të fshehur Rama-Berisha në të mirë të pazareve të tyre.
Ndër të tjera ai preku dhe debatin mbi listat e mbyllura dhe moslejimin e votimit elektronik. Të gjitha këto së bashku, Lulzim Basha i ka cilësuar si një koordinim mes Edi Ramës dhe Sali Berishës për të penguar ndryshimin si dhe “diasporën nuk do ta përdorin dot për hallet e tyre”, është shprehur Basha.
"Nuk bëhemi pjesë e pazarit Rama-Berisha. Rama dhe Berisha nuk kanë interes që diaspora të votojë. Gjithçka e kanë bërë për të kontrolluar votën e saj në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ata nuk kanë interes për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por synojnë t’i përdorin ato në funksion të pazarit të tyre: Rama qeverinë, Berisha opozitën.
Kjo është arsyeja pse mbyllën listat. Kjo është arsyeja pse nuk lejojnë votimin dhe numërimin elektronik, brenda dhe jashtë vendit. Ata po veprojnë në koordinim të plotë për të penguar ndryshimin, por nuk do t’ia dalin. Siç kemi propozuar që nga dita e parë, do të bëjmë gjithçka për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një gjë është e sigurt: diasporën nuk do ta përdorin dot për hallet e tyre,” tha ai.
Në të njëjtën kohë, për gazetarët e Report Tv ka folur dhe Enkelejd Alibeaj drejtuesi i “Djathtas 1912”, i cili është shprehur gjithashtu kundër votimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për sa kohë që listat vijontë të mbeten të mbyllura.
“Arsyetimi është i thjeshtë: votojmë çdo lehtësi dhe komoditet të votës së diasporës, por shqiptarëve (edhe atyre të diasporës) iu duhet dhënë e drejta e plotë e zgjedhjes, pra edhe listat e hapura. Diaspora nuk mund të konsiderohet si një plaçkë lufte elektorale që të agresohet nga pushteti për vota,” tha Enkelejd Alibeaj.