
Kryebashkiaku Erion Veliaj i ka deleguar firmën e tij nënkryetares së bashkisë Anuela Ristani. Tashmë Ristani do jetë drejtuese e komanduar e Bashkisë Tiranë, në pozicionin e Erion Veliaj i arrestuar ditën e djeshme më urdhër të SPAK.
Lajmi u bë i ditur në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama. Ky vendim është marrë ditën e sotme pas një mbledhje urgjente që kryeministri Rama zhvilloi në ambientet e bashkisë me nënkryetarët e insitucionit.
Anuela Ristani është pjesë e strukturës së Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, në kohën dhe kur Veliaj fitoi mandatin e tij në parë në krye të këtij institucioni. Në fillim Ristani ka mbajtur postin si shefe e kabinetit të kryebashkiakut, ndërsa tashmë ishte e ngarkuar për Çështjet Ndërkombëtare dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm në bashki.
Kujtojmë se një ditë më parë, Erion Veliaj u arrestua gjatë një operacioni të befasishëm, ku zyrtarë të SPAK-ut dhe BKH-së zbarkuan në zyrën e tij dhe e vunë në pranga. Gjykata e Posaçme ka lëshuar pesë masa sigurie në kuadër të hetimeve që zbulojnë një skemë korruptive të lidhur me fondet publike dhe transaksione të dyshimta. Ndërkohë, GJKKO ka dhënë masa të tjera për Ajola Xoxën, bashkëshortja e Veliajt "Arrest në shtëpi", Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu, Shkëlqim Fusha "Detyrim paraqitjeje".
Ky është një nga goditjet më të forta ndaj zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste, duke sjellë një situatë të re në qeverisjen lokale të Tiranë.