
Lindita Nikolla ka zënë ulësen e saj mes kolegëve socialistë Bledi Çuçi dhe Fatmir Xhafaj, në këtë sesion të ri parlamentar, pasi dha dorëheqjen nga posti i kryetares së Kuvendit me arsyetimin se kishte probleme shëndetësore.
Ai ka marrë pjesë në nisjen e punimeve për këtë sesion të ri dhe ka dëgjuar nga afër kolegen e saj Elisa Spiropali, e cila mori bekimin e kryeministrit Edi Rama në Kongresin e fundit të PS, për të drejtuar Kuvendin e Shqipërisë.
Kujtojmë se, në seancën e fundit plenare më 26 Korrik 2024, Lindita Nikolla lajmëroi ndërprerjen e mandatit si kryetare e Kuvendit, 3 vite pasi shërbeu në këtë detyrë. Një vendim i papritur që la të surprizuar gjithkënd që ishte në sallë e që e ndoqi fjalën e saj nga ekrani.
"Të dashur kolegë të maxhorancës parlamentare dhe të respektuar kolegë të opozitës parlamentare! Këtu, sot, mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila ma bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit...", tha ajo.
Vendimi la të habitur kolegët në sallë, majtas dhe djathtas, të cilët duket se nga bisedat me të nuk dinin asgjë për "sëmundjen" e Lindita Nikollës. Opozita e akuzoi më pas kryetaren e dorëhequr se vendimi i ishte imponuar nga Edi Rama.