
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Jamarbër Malltezit i cili kërkoi shfuqizimin e masës së sigurisë “Arrest shtëpie”.
“Kushtetuesja” ka dalë në një njoftim të gjatë ku argumenton arsyet pas analizimit të kërkesave të Jamarber Malltezit, i cili pretendonte se masat e sigurimit ndaj tij, përfshirë arrestin në shtëpi, kanë cenuar të drejtat e tij të lirisë personale dhe jetës private.
Pjesë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese
93. Për sa i përket kriterit të proporcionalitetit, Gjykata do të analizojë në vijim aspektet e nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë së masës në raport me parashikimet e neneve 228 e vijues të KPP-së.
Në gjykimin kushtetues lidhur me nevojën e ndërhyrjes mbi të drejtat kushtetuese të kërkuesit, Gjykata analizon fillimisht nëse masat konkrete të sigurimit të vendosura ndaj kërkuesit janë të nevojshme për të realizuar qëllimin e ligjshëm të mbarëvajtjes së procedimit penal në kuadër të të cilit ato janë vendosur.
Më tej, Gjykata vlerëson nëse masat e vendosura janë të përshtatshme për të realizuar këtë qëllim. Së fundi, Gjykata vlerëson nëse qëllimi i ligjshëm i mbarëvajtjes së procedimit penal mund të arrihej me vendosjen e masave më pak të ashpra.
Në këtë kontekst, Gjykata ka theksuar se, bazuar në parimin e subsidiaritetit, u takon gjykatave të juridiksionit të zakonshëm që përveç zbatimit të ligjit material dhe procedural penal, të mbajnë parasysh edhe jurisprudencën e Gjykatës dhe të GJEDNJ-së (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese).
94. Në rastin konkret, Gjykata konstaton se GJKKO-ja e Apelit ka vlerësuar të drejtë konkluzionin e GJKKO-së së Shkallës së Parë për ekzistencën e kushtit të përcaktuar në nenin 228, pika 3, shkronja “b”, të KPP-së, konkretisht rrezikut që kërkuesi të largohej, ndërkohë që, në kundërshtim me atë gjykatë, ka vlerësuar se nuk përmbushej kushti i përcaktuar në shkronjën “c” të këtij neni, për shkak se nuk ekzistonin prova që mbështesnin dyshimin se ai mund të kryente krime të rënda ose të njëjta me ato për të cilat po procedohej, pasi nuk ishte i dënuar më parë, si dhe se likuidimi i shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. nuk mund të konsiderohej si kusht për kufizimin e lirisë personale, në kuptim të nenit 228, pika 3, shkronja “c”, të KPPsë.
Ndërsa në lidhje me kërkesën e kërkuesit për caktimin e masës “Garancia pasurore”, GJKKO-ja e Apelit ka çmuar se caktimi i masës së sigurimit ose zëvendësimi i saj nuk mund të vlerësoheshin të shkëputura nga kriteri i përshtatshmërisë, proporcionalitetit dhe nevojshmërisë, ndaj, duke pasur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale për të cilat ai dyshohej, kjo kërkesë nuk mund të pranohej.
Në këto kushte, GJKKO-ja e Apelit ka vendosur ndryshimin e masës “Arresti në burg” të caktuar ndaj kërkuesit në “Arresti në shtëpi”, si dhe detyrimin e tij për të mos u larguar nga banesa e për të mos komunikuar me persona të tjerë, me përjashtim të atyre që banojnë me të (shih faqet 180-183 të vendimit të GJKKO-së së Apelit).
95. Vendimi i GJKKO-së së Apelit është vlerësuar i drejtë në vijim nga Gjykata e Lartë në drejtim të parimit të proporcionalitetit.
Sipas Gjykatës së Lartë, GJKKO-ja e Apelit kishte arsyetuar në mënyrë ezauruese për ekzistencën e rrezikut që kërkuesi të largohej, si dhe për caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, për shkak të mungesës së rrezikut të kryerjes prej tij të krimeve të rënda ose të të njëjtit lloj me ato për të cilat po procedohej.
Po kështu, Gjykata e Lartë i ka vlerësuar të pabazuara pretendimet e kërkuesit për modalitetet e zbatimit të masës së sigurimit “Arresti në burg”, me argumentin se paragrafi i dytë i nenit 237 të KPP-së linte në diskrecionin e gjykatës përcaktimin e modaliteteve të ekzekutimit dhe mbikëqyrjes së monitorimit të masës së caktuar (shih faqet 76-78, paragrafët 31-38 të vendimit të Gjykatës së Lartë).
96. Në analizë të vendimeve të mësipërme gjyqësore për qëllime të vlerësimit të parimit të proporcionalitetit, Gjykata, në përfundim të diskutimeve, në zbatim të nenit 72, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000, nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2, të Kushtetutës, të detajuar edhe në nenin 72, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000 dhe qëndrimet e saj u ndanë në dy drejtime.
97. Sipas njërit qëndrim 1, masa e sigurimit personal “Arresti në shtëpi” e vendosur ndaj kërkuesit është në raport të drejtë me qëllimin legjitim të mbarëvajtjes së procedimit penal dhe në përshtatje me nevojat e sigurimit e rëndësinë e faktit penal për të cilin ai dyshohet dhe sanksionin që parashikohet nga ligji për ato vepra penale, ndërsa mban në konsideratë edhe treguesit personalë të kërkuesit.
Ky përfundim bazohet në arsyetimin e vendimeve të gjykatës së apelit dhe të Gjykatës së Lartë, të cilat i kanë dhënë përgjigje shteruese kërkuesit lidhur me nevojën, domosdoshmërinë dhe ashpërsinë e masës së sigurimit personal të arrestit në shtëpi në kontekstin e rrethanave të çështjes konkrete dhe sipas rregullave specifike të KPP-së.
Konkretisht, gjykata e apelit ka arsyetuar për “parimin e proporcionalitetit, duke theksuar rëndësinë e ekuilibrit të interesave proceduralë me ato personalë, me qëllimin që ndaj kërkuesit të vendoset një masë shtrënguese e përshtatshme, objektive, e patepruar dhe e tolerueshme”.
Ajo është shprehur në vendimin e saj se është “udhëhequr nga parimi i ligjshmërisë dhe i gradualitetit për të përzgjedhur masën e sigurimit personal që përmbush nevojat e procedimit penal dhe që rezulton më oportune në raport me rastin konkret dhe provat e paraqitura”.
Po sipas gjykatës së apelit, masa e arrestit në shtëpi garanton praninë në procedim të kërkuesit; ajo respekton parimin e proporcionalitetit, përshtatshmërisë dhe gradualitetit, sepse njihet nga ligjvënësi si alternativë e paraburgimit për fuqinë shtrënguese maksimale që ofron, e cila, po ashtu, është në raport të drejtë me rëndësinë e fakteve penale dhe sanksionet e parashikuara për veprat penale konkrete, për të cilat ai dyshohet.
Arsyetimi i gjykatës së apelit nuk është cenuar nga Gjykata e Lartë, e cila ka vlerësuar se shkaqet në rekurs që lidheshin me proporcionalitetin e masës së sigurimit haptazi kanë karakter të mirëfilltë faktual vlerësues, që është atribut ekskluziv i gjykatave të faktit.
Për këto arsye, pretendimi i kërkuesit se masa e caktuar ndaj tij nuk është proporcionale është i pabazuar.
Sipas qëndrimit tjetër,2 gjykatat e zakonshme nuk kanë arritur të arsyetojnë në masën dhe nivelin që kërkon ndërhyrja në të drejtat dhe liritë kushtetuese, në mënyrë që ajo të konsiderohet proporcionale dhe në lidhje me këtë, të arsyetonin edhe pse ishte e përshtatshme.
Po ashtu nuk kanë analizuar nëse një masë tjetër me natyrë personale apo edhe një qëndrim i ndryshëm në lidhje me kërkesën e prokurorisë nuk do të ishte në gjendje të siguronte mbarëvajtjen e procedimit penal apo do ta vinte në rrezik atë.
Arsyetimi i GJKKO-së së Apelit për caktimin e masës të sigurimit personal “Arresti në shtëpi”, i bazuar në dyshimet për kryerjen e veprës penale dhe rrezikun e ikjes së kërkuesit, është i pamjaftueshëm në aspektin kushtetues për të justifikuar nevojën e kësaj ndërhyrjeje.
Vetëm fakti që masa e sigurimit është një masë me natyrë të ndërmjetme, që jepet gjatë një procedimi penal që është duke u kryer, nuk nënkupton se justifikon edhe mungesën e analizës së gjykatës në lidhje me plotësimin e kushteve dhe kritereve që justifikojnë masën kufizuese të lirisë.
Në këtë drejtim, në vendimet e gjykatave nuk është arsyetuar mbi ato shkaqe dhe elemente të procedimit penal që kanë çuar në ekzistencën e dyshimit të ikjes/largimit të kërkuesit, me qëllim shmangien nga procesi penal, e lidhur kjo edhe me personalitetin, profesionin dhe aspekte të tjera të figurës dhe jetës private e profesionale të tij.
Nga ana tjetër, gjykatat nuk kanë arsyetuar nevojën e ndërhyrjes as në drejtim të rrezikut për të penguar mbarëvajtjen e procedimit penal, duke pasur parasysh fazën në të cilën ndodhet ky procedim, pra për të garantuar mosrrezikimin e marrjes apo vërtetësisë së provave të këtij procedimi (apo helmimin e provave).
Për këtë arsye, kjo përbën shkak të mjaftueshëm për të konstatuar cenimin e parimit të proporcionalitetit në drejtim të elementit të nevojës të lidhur me përshtatshmërinë e kësaj mase mbështetur në detyrimet që vendos neni 17 i Kushtetutës. 99.
Për sa më lart, për sa i takon pretendimit për cenimin e parimit të proporcionalitetit, si pjesë e aspektit substancial të lirisë personale, Gjykata vëren se, në kushtet kur nuk u formua shumica prej pesë gjyqtarësh, në kuptim të nenit 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, ky pretendim konsiderohet i rrëzuar.
Për sa më lart, për sa i takon pretendimit për cenimin e parimit të proporcionalitetit, si pjesë e aspektit substancial të lirisë personale, Gjykata vëren se, në kushtet kur nuk u formua shumica prej pesë gjyqtarësh, në kuptim të nenit 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, ky pretendim konsiderohet i rrëzuar.