Hapësire reklamuese

Politikë

“Kushtetuesja” hodhi poshtë kërkesën e PD për Butrintit, paralajmëron Zhupa: Hapi i radhës, SPAK!

Shkruar nga Newsbomb
“Kushtetuesja” hodhi poshtë kërkesën e PD për
Ina Zhupa

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese për të hedhur poshtë kërkesën e PD për shfuqizimin e ligjit për administrimin e “Butrintit”.

Përmes një reagimi zyrtar. Zhupa thotë se Kushtetuesja sot me vendimin e marrë tregoi se është në shërbim të politikës dhe aferave të qeverisë.

“Gjykata Kushtetuese sot vuri kapakun mbi kapjen e saj politike, edhe shërbimin pa asnjë skrupull të aferave të qeverisë, edhe kur ato bien ndesh haptazi me kushtetutën, me interesin publik, me interesin kombëtar, me mbrojtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore”, tha Zhupa, teksa më tej ka listuar edhe disa nga shkeljet që Gjykata Kushtetuese kreu këtë të mërkurë.

Ndër të tjera ajo ka theksuar se nuk do të heqë dorë dhe se hapi i radhës për këtë çështje do të jetë Prokuroria e Posaçme.

“Nuk u tërhoqa sepse betejës do i shkoj deri në fund dhe në vazhdim. Hapi i radhës është SPAK!”, shkruan Zhupa ndër të tjera.

Reagimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese sot vuri kapakun mbi kapjen e saj politike, edhe shërbimin pa asnjë skrupull të aferave të qeverisë, edhe kur ato bien ndesh haptazi me kushtetutën, me interesin publik, me interesin kombëtar, me mbrojtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore.

UNESCO e rrëzon koncensionin, bën raport që e fsheh qeveria dhe Gjykata e aprovon, se njeh më mirë se UNESCO konventën e Parisit.

Gjyqtarët që kanë votuar kundër Butrintit, do kenë në ndërgjegjen e tyre turpin më të madh të gjithë gjykimeve kushtetuese. Sepse nuk bëhej fjalë për një koncesion që rrëmbeheshin disa para sic ka ndodhur rëndom në Shqipëri, por një koncesion që rrëmbehet historia, identiteti, trashëgimia, kultura, rrënjët tona. Vetëm nga 30 nëntori e këtej AADF ka hapur disa tendera qindra mijëra euro duke e pasur në Gjykatën mesa duket në xhep.

Në konflikt të pastër interesi, të kapur “me presh në duar” në shkelje të procedurave të gjykimit kushtetues mbyllën një gjyq në shërbimin të qeverisë pas një viti proces plot me shkelje.

Rikujtoj sot vetëm disa nga shkeljet e procesit kushtetues:

- Mos përjashtimi i 3 gjyqtarëve që kërkuam për përjashtim, të cilët ishin haptazi të anshëm dhe nuk garantonin një proces të rregullt gjyqësor. Duke filluar nga kryetarja që justifikohej për shkeljet që vinin “nga lodhja” “nga seancat me orë të zgjatura”, ndërkohë që mund të vinin nga ambiciet e saj për një mandat në Strasburg, të mbështetur nga qeveria. Nga Gent Ibrahimi me marrëdhënie të hapur miqësore dhe bashkëpunimi me dy CEO të AADF, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli. Tek Sandër Beci që votonte mos merrnim shkresën nga Këshilli i Ministrave se mos i prishej terezia kryeministrit.

– Nisën procesin e debatit gjyqësor dhe parashtrimeve pa zbatuar akoma vendimin e vet të ndërmjetëm ku pala KM duhet të sillte gjithë dokumentat nga UNESCO. Nuk mori kurrë një dokument që informonte UNESCO-n me llojin e ri të fondacionit privat apo me miratimin e saj në formën e re. Një trupë gjyqësore që pranoi si provë një copë letër emailet kanë humbur ku tallej qeveria me autoritetin e tyre.

– Vendosi afat deri ne 30 nëntor për të marr një raport që këshilli i ministrave e ka edhe nuk e dorëzon. Pranoi si provë një email në 11 të natës mes KM dhe ambasadores tonë në UNESCO, që flisnin se ska dalë akoma raporti i shkurtit 2024, ndërkohë që ne kërkuam raportin e misionit të tetorit 2022 dhe ai gjendet në zyrat e qeverisë shqiptare sipas UNESCO. Për këtë ne morëm përgjigjen zyrtare që raporti UNESCO fshihet nga qeveria. UNESCO kundër koncesionit dhe Gjykata Kushtetuese mbyll sytë.

– Një proces gjyqësor që u anashkalua faza e administrimit të provave duke mos u kryer sic thotë rregullorja por duke e harruar dhe duke e marr të mirëqënë që sdo kishte asgjë të re sipas tyre.

– Një proces gjyqësor ku u pranuan si materiale gjyqësore ato dokumente që nuk mbart elementët e detyrueshëm formalë që të përdoret zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë dhe nuk mund të përdoret përpara asnjë Gjykate në Shqipëri, aq më pak përpara Gjykatës Kushtetuse, në kushtet kur:(i) Shkresa nuk rezulton e përkthyer zyrtarisht në gjuhën shqipe (mungon nënshkrimi dhe vula e një përkthyesi të gjuhës angleze zyrtarisht të njohur nga institucionet shqiptare);(ii) Shkresa nuk është e noterizuar (në mënyrë që të vërtetohet autenticiteti i përkthimit dhe nënshkrimi i vetë përkthyesit), si dhe (iii) Shkresa nuk rezulton e legalizuar (i mungon vula Apostile).

– Një proces me palë të interesuar dy herë ministren Elva Margariti, një herë pjese e subjektit Këshilli i Ministrave, si ministre dhe një herë pjesë e subjektit FMB si kryetare e bordit dhe bashkëthemeluese. Zhduku konceptin e “barazisë së armëve”

– Një proces ku nuk pranuan të përfshinin AADF që është subjekti i koncesionit kur haptazi dhe publikisht ata e pranojnë që janë marrësit e tij dhe ishin në çdo komision parlamentar. Fshehën gjurmët kur të gjithë kanë parë ujkun.

– Një trupë gjyqësore që ligjin me porosi, të bëra nga kuzhinat e lobimit dhe klientelizmit, e konsideron kushtetuese nuk mund të konsiderohet si e pavaruar dhe e paanshme.

Megjithë shkeljet që i evidentuam edhe me shkresa dhe kërkesa gjatë gjithë gjykimit, ne vazhduam deri në fund procesin.

Nuk u tërhoqa nga kërkesa sepse ishin 18 nene të kushtetutës së shkelura dhe gjykata kushtetuese sot nuk pa dot asnjë!!!

Nuk u tërhoqa sepse ishin 4 konventa të shkelura dhe gjykata nuk pa dot asnjë!!!

Nuk u tërhoqa sepse betejës do i shkoj deri në fund dhe në vazhdim.

Hapi i rradhës është SPAK!

Ku sigurisht edhe procesi kushtetues do jetë pjesë e gjykimit të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.

Në fund të këtij procesi kushtetues dhe në hapjen e një etape të re të përballjes kundër koncesionit të Butrintit dua të shpreh falenderime:

– 35 deputetëve, kolegëve të mi opozitar që firmosën këtë kërkesë me besimin dhe mbështetjen për mua.

– Avokatëve Franci Nuri. Agron Alibali.

– Zërave publik në mbrojtje si Auron Tare, Apollon Baçe, Neritan Ceka, Ilda Mara, Beti Njuma, Elida Miraj, Kreshnik Merxhani, Gjerak Karaiskaj, Andi Tepelena, Lavdosh Ferruni e shumë të tjerë.

– Presidenti i Republikës Ilir Meta që e ktheu me dekret ligjit 50/2022

– Avokatit Bledar Dervishaj për arsyetimin e kthimit të ligjit në kuvend.

– Avokati i Popullit, znj. Erinda Ballanca për Amicus Curiae në favor të Butrintit

– Kontrolli i Lartë i Shtetit Z.Arben Shehu për parashtrimet me shkrim në favor të Butrintit.

– Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit, për zërin e ngritur dhe protestat e organizuara me drejtimin e Aulon Kalaja, Sazan Guri, Arber Kola, Altin Goxhaj dhe qindra te tjere.

– Gazetarëve që na përcollën në çdo betejë në kuvend, në seli, në presidencë, në gjykatë kushtetuese, të palodhur dhe gjithmonë gati.

Beteja vazhdon… Rroftë Butrinti, Poshtë Maskarenjtë.

Butrinti do fitoj me çdo kusht, e kemi detyrë ndaj fëmijëve tanë dhe të parëve tanë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese