
Kryesia e Partisë Demokratike, e mbledhur dje ka vendosur të hartojë një draft rezolutë dhe ia ka propozuar për miratim Këshillit Kombëtar të PD.
Në draft theksohen dy pika të rëndësishme që kanë të bëjnë me bashkimin e të gjithë demokratëve, duke lënë pas kështu mosdakordësitë dhe ndasitë.
Në draft-rezolutë thuhet se kryetarët e degëve duhet të marrin të gjitha masat për të arritur në bashkimin e demokratëve, por edhe atyre që qeverinë e Edi Ramës e konsiderojnë rrezik kombëtar.
Po ashtu në projekt-rezolutë vihet theksi te Qeveria teknike, teksa thuhet se PD do angazhohet se do të bëjë gjithçka për të realizuar këtë, si të vetmen rrugë që mund të garantojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
“Bashkimi i opozitës nën flamurin e vlerave demokratike është tashmë realitet dhe prioritet absolut i Partisë Demokratike. Aksioni politik i Partisë Demokratike duhet të synojë jo vetëm bashkimin e demokratëve në një front të vetëm përballjeje me narkoshtetin, por bashkimin e të gjithë opozitarëve që qeverinë socialiste të Edi Ramës e konsiderojnë rrezik kombëtar dhe mendojnë se ky regjim duhet luftuar deri në fund dhe pa asnjë kompromis.
Për të realizuar këtë mision kombëtar, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i bën thirrje strukturave drejtuese të Partisë Demokratike të marrin të gjitha masat dhe të përgatisin të gjitha kushtet për bashkimin e demokratëve dhe qytetarëve në një front të vetëm, duke lënë mënjëanë çdo dallim apo mosdakordësi, sepse ajo që bashkon të gjithë opozitarët, rezistenca ndaj narkoshtetit dhe fitorja në zgjedhjet e ardhshme, janë prioritare.
Partia Demokratike konsideron zgjedhjet e lira dhe të ndershme si mekanizëm thelbësor që garanton pluralizmin politik dhe vlerat e familjes evropiane ku duam të bëhemi pjesë. Për këtë arsye Partia Demokratike kërkon me forcë dhe do beje çdo përpjekje për një qeveri teknike, për të garantuar minimumin e standardeve të pranueshme zgjedhore, si parakusht për rotacionin politik që presin shqiptarët. Qeveria teknike dhe vota e diasporës janë kushtet më themelore për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Realizimi i tyre është detyrimi më madhor dhe më jetik i Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare”, thuhet ndër të tjera në njoftim.