Ish kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako është thirrur ditën e sotme në SPAK. Ai është parë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme dhe shkak mësohet se është bërë dosja ndaj ish-deputetit Jurgys Çyrbja.
Dako pritet të japë sqarime për faktin se kush ishte personi që hodhi propozimin që Çyrbja të vendosej si emri i pestë në listën e Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku ai u zgjedh edhe deputet.
SPAK akuzon Jurgis Çyrbjan se u ka dhënë informacione kriminelëve të cilët janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, gjithashtu dhe përmes kunatit të vëllait të tij, Ahmet Mashës, ish-deputeti ka dekonspiruar operacionet e Policisë së Durrësit. Nga hetimet e deritanishme dhe “zbërthimi” i aplikacionit “SKY ECC” rezulton se funksionarë publikë, ende të paidentifikuar, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës i kanë shitur Çyrbjas sekrete shtetërore në 7 raste.
Sipas SPAK mësohet se ish-deputeti socialist përmes kunatit të vëllait të tij ka dekonspiruar operacionet e Policisë së Durrësit për arrestimin e personave të shpallur në kërkim. Ish-deputeti ka ndihmuar pronarin e kompleksit “Golden”, Altin Hajri, që t’i shpëtojë bluve dhe në këmbim ai e ka ndihmuar që të siguronte mandatin e deputetit në zgjedhjet e 2021.