Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

"Kurbanët" e telhajos së kryeministrit, katër analistë "skanojnë" ndryshimet në kabinet

Shkruar nga Newsbomb
"Kurbanët" e telhajos së kryeministrit, katër
Ilustrim: Revista Newsbomb.al dhe Edi Rama ne Kongresin e PS

Nga ILIR XHAFAJ

Ishte i ngrysur. Ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë Edi Rama do të bënte ndryshime të rëndësishme në kabinetin qeveritar. Ishte dita që thashethemnajat e krijuara nëpër korridoret e partisë të merrnin përgjigjen përfundimtare. Të gjithë sytë ishin drejtuar nga ai, paçka se do ta merrte fjalën i fundit. Këtë radhë mimika e tij nuk fliste.

Dosja ngjyrë kafe që mbante në dorë dukej e trashë. Fletët e ngjeshura brenda saj sikur donin të flisnin, të ngrinin në kupë të qiellit ndryshimet që do të pasonin, por dora e gjatë dhe e madhe e kishte shtrënguar aq shumë, saqë asgjë s’do të dilte prej atje më herët sesa ai vetë kishte vendosur. Përshëndetjet e zakonshme në Kongresin e Partisë nuk i bënin përshtypje atë ditë të diele, tmerrësisht përvëluese korriku. E tillë ishte edhe temperatura brenda partisë.

Edhe pse të gjithë përpiqeshin ta fshihnin, tensioni ishte i pranishëm. Socialistët zunë vend, duartrokitjet u shuan bashkë me muzikën që po shoqëronte Edi Ramën drejt podiumit, kurse ai vetë, e zhduku menjëherë buzëqeshjen që e shoqëronte shkallëve të sallës gjigande në Pallatin e Kongreseve.

70 minuta ju foli socialistëve plot pasion për vizionin e tij “Shqipëria 2030”, derisa erdhi momenti t’u jepte zë brendisë së vendimeve që kishte në dosje. Kur u duk se emocioni në sallë ishte zbehur, Edi Rama u kërkoi të mbështesnin Elisa Spiropalin në postin e saj të ri si pasuese e Lindita Nikollës. Duartrokitjet e zunë të papërgatitur ministren. Fytyra e habitur i shkonte sa majtas e sa djathtas nga kolegët, kurse Çuçi e Peleshi i rrihnin supet. Sikur ta dinin se pas saj, nga goja e kryetarit do të dilnin të radhës emrat e tyre.

I pari, mori drejtimin e Kuvendit si zëvendës, ndërsa i dyti, “i dorëzoi” Ministrinë e Mbrojtjes Pirro Vëngut. Petrit Malaj mori Ekonominë, ndërsa Ervin Hoxhës iu besua Ministria e Brendshme. Taulant Balla ishte surpriza e madhe që u transferua papritur, duke lënë policinë dhe për t’u emëruar si Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin. Një dikaster pa “portofol” që kryesohej nga Spiropali.

Edi Rama nuk kishte ndërmend të jepte shpjegime për ndryshimet e reja. I kishte men[1]duar mirë dhe prej ditësh, kishte rrjedhur pak informacion. Por, gjithçka u faktua në ditën e Kongresit. Socialistët afronin kokat pranë njëri-tjetrit dhe përshpërisnin pa zë. Kishin shumë pikëpyetje për vendimet e kryetarit në këtë periudhë të nxehtë, ku SPAK nuk ka bërë “mungesa” në partinë e tij.

Mos vallë ky ishte një riformatim i PS, apo një tentativë për të lënë pas disa figura që nuk kanë ç’japin më? Dorëheqja e Lindita Nikollës në këtë moment ka krijuar shumë konfuzion. A ishte largimi i saj pretekst për një kapitull të ri? Po lëvizjet e ministrave? Mos ndoshta kryeministri po përgatit “kurbanët” e radhës për t’i vënë para drejtësisë? Fundja, përgjegjësia është personale...

Shumë pikëpyetje që Revista Newsbomb.al përpiqet t’u japë përgjigje në këtë forum përmes zërit të Luan Ramës, Poli Hoxhës, Leonard Ollit dhe Endri Shabanit. Si i shohin ata lëvizjet e Ramës më pak se një vit para zgjedhjeve dhe çfarë përfaqësojnë ato në këtë realitet politik të trazuar shqiptar?

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e 36-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 20 Gusht dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese