Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ka zhvilluar ditën e sotme një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, Kumbaro bën me dije se fokusi i bisedimeve ishte turizmi, ndërsa shton se mysafirët nga Kosova mbeten baza më e qëndrueshme e turizmit gjithëvjetor në Shqipëri.
“Kryefjalë të bisedës kishim turizmin dhe shkëmbimet mes dy vendeve tona ku mysafirët nga Kosova mbeten baza më e qëndrueshme e turizmit gjithëvjetor, por lajmi i mirë është se edhe shqiptarët e Shqipërisë çdo vit e më shumë po preferojnë të vizitojnë atraksionet turistike e natyrore të Kosovës”,- shkruan Kumbaro.
Gjithashtu, Kumbaro shkruan se me presidenten Osmani janë dakordësuar për mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e turizmit, si dhe evidenton se e ka ftuar presidenten për një vizitë në Shqipëri në zonat malore dhe bregdetare turistike të vendit.
"Dakordësuam për mundësi të reja bashkëpunimi në turizëm, forcim të promovimit të përbashkët të mes vendeve tona, si edhe i përcolla Presidentes Osmani ftesën për një vizitë në Shqipëri nga zonat malore në bregdet, përfshirë edhe lumin Vjosa, tashmë Park Kombëtar”,- shkruan ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.