Ndërsa në vend po trumbetohet me të madhe mundësia për rritjen e pensioneve, siç duket kryebashkiakët nuk kanë humbur kohë dhe kanë nisur nga puna… për veten e tyre. I pari që e ka bërë “sefte” është kryetari i Bashkisë Armando Subashi. Këshilli Bashkiak i Fierit ka vendosur t’i rrisë pagën kryetarit.
Sipas kufirit të vendosur, paga e tij duhet të ishte 2.5 – 2.9 milionë lekë të vjetra. Dhe si për të vlerësuar punën e kryetarit anëtarët e Këshillit kanë zgjedhur maksimalen. Gjithashtu është vendosur 2.5 milionë për nënkryetarët dhe 1.5 milionë për shefin e kabinetit e sekretarin e Këshillit.
Por, pse kanë zgjedhur pagën maksimale të kufirit të vendosur nga qeveria dhe jo një të mesme? Sipas televizionit “Apollon”, këshilltarët kanë thënë se ngarkesa ishte e madhe, ndaj kryetari meritonte të kishte rrogën më të lartë.
Edhe pse kryeministri Edi Rama ka pasur një takim periodik me pensionistët, ai ka deklaruar se momentalisht është e pamundur të ketë një rritje të pensioneve. Ndërkaq, ka komentuar dhe thjeshtëzuar 4.1 përqindëshin e shumëpërfolur si rritje, por në fakt është indeksim që e parashikon ligji dhe nuk ka lidhje me rritjen e pensionit.