Edi Rama i është kthyer sërish reportazhit "Report" të publikuar mbrëmjen e së dielës në televizionin italian Rai 3. Kryeministri ka dhënë një intervistë për gazetarin Muhamed Veliu në "Top Channel" duke analizuar dhe dhënë shpjegimin e tij për gjithë këtë që po ndodh në median italiane.
Fillimisht Rama tregon se nuk e ka parë dokumentarin duke cilësuar se sipas tij gjithçka është një gënjeshtër, e shpërndarë me shpejtësi.
"Nuk kam parë dokumentarin, por kam marrë një përmbledhje të shkruar dhe jetojmë fatkeqësisht në një kohë dhe një botë ku ajo shprehja e urtë e popullit që kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta akoma s’ka veshur pantallonat’, sot është në një proporcion krejt tjetër, sepse kur e vërteta vesh pantallonat janë 7 gënjeshtra të tjera që bëjnë xhiron e botës, pra ka humbur dhe tretet çdo ditë ekuilibri midis gënjeshtrës dhe të vërtetës në mungesë të një fuqie që ka kapacitetin të përmbajë gjithë këtë lukuni gënjeshtrash që shpërndahen me një shpejtësi marramendëse në një pasqyrë të informimit të publikut përmes shumë burimesh, miliona dhe miliarda burimesh, të cilat nuk ka asnjë mundësi që të mendohet se mund ta filtrojnë informacionin, se mund t’i japim publikut në fund atë çka është e vërteta ose normalisht SPAK-u qëndrime mes atij që gënjen dhe atij që thotë të vërtetat dhe pastaj publiku të gjykojë", thotë fillimisht kryeministri.
I pyetur më pas se çfarë cilëson si të pavërtetë, Rama ka thënë: "Nuk e kam ndjekur të gjithë dokumentarin, por më mjafton një fakt shumë i thjeshtë që aty është trumbetuar që sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë që është një figurë institucionale dhe i cili ishte viktima e atij agresioni të pashembullt refuzuar të përgjigjet, ndërkohë sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë i cili ka refuzuar të përgjigjet ka lajmëruar edhe padinë penale në gjykatën italiane, sepse Italia ka një legjislacion shumë të ashpër për shpifjen edhe e ka ende në kodin e vet penal, ka kthyer përgjigje pikë për pikë, pyetje për pyetje, në të njëjtën adresë nga ato pyetje i kanë ardhur dhe në afatin e kërkuar nga dërguesi në mënyrën më të paimagjinueshme pasi flet në atë emision skandaloz, del edhe në kanalet e ujërave të zeza këtu në Shqipëri dhe vazhdon të thotë që askush nga viktimat e tij nuk i ka dhënë asnjë prononcim".
Sot gjithashtu u përhap me shpejtësi lajmi që kryeministri Edi Rama kishte telefonuar drejtorin e Rai 3 për t'i dhënë shpjegime për atë që ishte publikuar në median e tij. Për gazetarin Veliu, i pari i qeverisë tregon se kjo nuk është e vërtetë sepse fillimisht kishte komunikuar me mesazhe. Në fjalën e tij, Rama thotë: "E para ka pasur një tjetër gënjeshtër që ka marrë dhenë me shpejtësi të madhe sipas së cilës unë e kam telefonuar dhe i kam shfryrë tërbimin. Ndërkohë që unë nuk kam pasur telefonatë me të, në rastin konkret kur doli kjo gënjeshtër e radhës, por i kam dërguar një mesazh shumë normal për të pasur një komunikim, ai më ka kthyer një mesazh që do të të marr mbrapsht dhe telefonata ka ndodhur pak orë më parë, pa asnjë lloj shqetësimi tjetër, përveç faktit që kemi të bëjmë me një situatë anormale ku viktima e një sulmi skandaloz jo vetëm është denigruar me shumë të pavërteta, por edhe paraqitur para publikut si një person që ka refuzuar të përgjigjet ndërkohë që ai është përgjigjur një për një dhe kaq".