Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Kryebashkiaku Erion Veliaj reagon përsëri nga qelia: Jetim me urdhër Prokurorie dhe vendim gjykate

Shkruar nga Newsbomb
Kryebashkiaku Erion Veliaj reagon përsëri nga qelia: Jetim me
Erion Veliaj

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar përsëri nga ambientet e baraburgimit në Durrës. Veliaj i është kundërvënë dhe njëherë prokurorit Ols Dado duke u shprehur se ishte ai që i la djalin 6-vjeçar “jetim” me pretekstin se fëmija i Veliajt dhe Xoxës ka dy gjyshe që mund të përkujdesen për të.

Ai vijon të shkruajë se prokurori Dado cilëson normale që mamaja e Ajola Xoxës të kujdeset për nipin e saj, por nuk e konsideron normale gjetjen e lodrave dhe sendeve të fëmijës së tij në shtëpinë e gjyshes në Qeret.

Veliaj është shprehur se nuk ka asnjë arsye për të mos e përfshirë në deklarime vilën në Qeret nëse do të ishte e tij, duke vijuar të shtojë se ajo shtëpi është blerë nga babai i Ajolës në kohën kur e bija nuk ishte as e martuar.

"Jetim me urdhër prokurori e vendim gjykate!

Mirëdita miq e dashamirës të pafundëm, që më keni dhënë këtë javë kaq shumë dashuri e kurajo!

A doni të argëtoheni pak me violinën e Ols Dados në seancën e pengmarrjes, te thertorja e adashit tim?

Kur Ajola kërkoi uljen e masës paraprake nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje, për shkak të nevojës për t’u përkujdesur të paktën njëri prej prindërve për djalin tonë 6 vjeçar, arsyetimi i prokurorëve ishte se djali ynë ka dy gjyshe! Pra, me vendim gjykate i caktohet fëmijës statusi i jetimit dhe përgjegjësia ta rrisin u kalon gjysheve! Ato mund ta zëvendësojnë rolin e prindërve për ta çuar e marrë nga shkolla, apo për ta shoqëruar në aktivitete jashtëshkollore, tha violinisti dështak. Madje, gjyshet mund t’i mbanin edhe radhët për të blerë ushqime sipas tyre, pavarësisht se as nuk e kanë idenë nëse gjyshet janë mirë me shëndet, ngasin apo jo makinën, për t’u kthyer në shërbëtore të fëmijës së shpallur “jetim” dhe pa akses në llogari bankare me urdhër nga Spaku, e me radhë.

Po përtej këtyre, se ja ta zemë se gjyshet e shkreta do ta zbatonin urdhërin e Spakut dhe do mësonin edhe makinën, për prokurorët, raporti mes gjyshes dhe nipit qenka thuajse i njëjtë me raportin e nënës me djalin, në pikën që gjyshja qenka njeri i shtëpisë edhe kur nuk jeton me vajzën e saj, nënën e djalit. Normal deri këtu pikëpamja për gjyshen, po si ka mundësi atëherë që i njëjti tru që arsyetoka kështu, arsyeton edhe që gjetja e lodrave të nipit në shtëpinë e gjyshes në plazh, të cilën e ka blerë gjyshi i vdekur, kur nipi s’kishte lindur dhe e bija s’ishte martuar akoma, përbëka provën flagrante që ajo shtëpi në fakt është një pasuri e fshehur e jona!

Pra, të njëjtët prokurorë, të cilët janë në të njëjtën kohë vetë prindër (nuk di a kanë a s’kanë gjyshe fëmijet e tyre, po me siguri duhet të kenë), mendojnë se gjyshet janë njerëz të shtëpisë dhe mund ta marrin pa asnjë dyshim të arsyeshëm edhe rolin e mamasë për nipin, por kurrsesi nuk mund të ndodhë në shtëpitë e gjysheve të gjenden lodra të nipit 6 vjeç. Aq më tepër, në plazh, ku nuk besoj se im bir është i vetmi kalama që mezi pret të shkojë te shtëpia e gjyshes për t’u takuar me lodrat e tij.

Dhe një pyetje kam unë: Po edhe sikur të jetë shtëpia jonë, që vetëm truri i një lunatiku si violinisti që më ra për pjesë mua mund ta dijë se pse duhet ta fshihja në deklarimin tim nëse do ta kisha, a mjaftojnë dot si provë fotot e lodrave të djalit tim apo fakti që ime shoqe thërret shoqet e veta te shtëpia në plazh e të ëmës për ditëlindjen e saj?

Me siguri po, por jo në demokraci dhe kurrën e kurrës në Europë.

Një përqafim të madh gjithë gjyshërve e gjysheve! I mbushni nipat e mbesat me dashuri, se fëmijët e rritur me ngrohtësi nuk bëhen dështakë të kompleksuar si noteri i lodhur ndërtues, që më ka rënë mua për hise! Kokën lart!"

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese