Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi ka deklaruar se Reforma Zgjedhore nuk ka patur progres gjatë kësaj kohe. I ftuar në emisionin “Opinion” në News24, Celibashi tha se progresi i Reformës Zgjedhore ka qenë zero, teksa shtoi se është skeptik për suksesin e saj duke ditur që ka një datë për të, por pa veprime konkrete të ndërrmarra nga partitë korrespondente.
“Optimizmi duhet të jetë i moderuar kur shohim që progresi në kuadër të Reformës Zgjedhore është zero. Komisioni e mbylli misionin pa asnjë rezultat. Këto rrethana të bëjnë të jesh skeptik për suksesin e mekanizmit të ri që partitë apo Kuvendi kanë adoptuar për të zgjidhur Reformën Zgjedhore. Duket se ka një lloj veprimi por ende një rezultat. Fakti është që veç kalendarit nuk kemi ende asgjë konkrete”, tha kreu i KQZ-së, Ilirian Celibashi.
Celibashi kërkoi që Kuvendi duhet të vendosë që të miratojë votën e emigrantëve brenda këtij sesioni, pasi sipas tij edhe nëse do të kemi një proces zgjedhor në kuadrin rregullator, do të cojë në një dështim të mundshëm të përsëritur të votimit nga jashtë.
“Kuvendi duhet të vendosë për votën e emigrantëve, të diasporës. Çdo ditë që kalon edhe nëse do të kemi një proces të realizuar në kuadrin rregullator, vihet në rrezik aplikimi dhe dështimi i procesit në këtë kuadër. Alertimi i përsëritur shpresoj të mos e konsiderojnë si një justifikim për një dështim të mundshëm të votimit nga jashtë. Natyra e procesit kërkon që rregullat të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur ndryshe nuk do të kemi kohë të zbatojmë këtë proces. Po humbim ditë të rëndësishme. Numri i atyre që pres të votojnë jashtë territorit nuk besoj se do të jetë rreth 1 milionë. Ndaj shoh që kohë kemi mjaftueshëm nëse nuk humbim kohë. Duhet të miratohet brenda sesionit të Kuvendit. Nëse shtyhet për në shtator do të jemi si në kushtet e zgjedhjeve të kaluara”, tha Celibashi.