
Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë publike sot fletët e votimit për 12 qarqet e vendit, të cilat do të përdoren nga zgjedhësit jashtë Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një postim në rrjetet sociale, Celibashi ka sqaruar se fletët e votimit për diasporën kanë të njëjtën përmbajtje si ato që do të përdoren brenda vendit, por dallohen nga një element i veçantë identifikues.
Kujtojmë se KQZ ka miratuar sasinë e fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qark për zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025.
Nga përpunimi i të dhënave në Platformën Elektronike të Regjistrimit, rezulton se numri i zgjedhësve të regjistruar në listën e zgjedhësve nga jashtë është 245,808. Sasia e fletëve të votimit është e barabartë me numrin e zgjedhësve, duke i shtuar 2%. Ndaj, sasia e fletëve të votimit që do të prodhohen për votimin nga jashtë është 250.724 fletë votimi në total
Vendin e Numërimit të Votave nga Jashtë do të jetë në ambientet e Parkut Olimpik të Tiranës “Feti Borova”.