Hapësire reklamuese

Politikë

KQZ gjobit 108 parti politike, mes tyre PD dhe PS

Shkruar nga Newsbomb

KQZ gjobit 108 parti politike, mes tyre PD dhe PS

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjobitur 108 parti politike. Sipas KQZ-s, gjobitja e këtyre partive politike ka ardhur pasi ato nuk kanë deklaruar financat e përdorura gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2022 ose kanë pasur parregullsira në raportin vjetor të dorëzuar të financave të këtij viti.  

Nisur nga gjetjet në auditimin e fondeve të vitit 2022,  partitë politike nuk kanë deklaruar në mënyrë të qartë dhe të rregullt shpenzimet e tyre. Për këtë arsye janë gjobitur 14 parti të vogla me vlerën e 100 mijë lekëve, si dhe partitë e tjera në vlerën e 60 mijë lekëve gjobë.

Midis këtyre partive janë edhe Partia Demokratike dhe Partia Socialiste e Shqipërisë, të cilat janë gjobitur me vlerën 60 mijë lekë, ku sipas gjetjeve të auditimit të KQZ-s, këto 2 parti politike nuk kanë bërë ndarjen e shpenzimeve të fushatës për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit të 2022 nga shpenzimet vjetore të partisë.

Ndërsa mësohet se ndëshkimit të KQZ i ka shpëtuar Partia e Lirisë, për të cilën audituesit nuk kanë gjetur parregullsi në raportin e financave për 2022.

Nga të dhënat e raportit, bëhet e ditur se në shpenzimet e paraqitura si shpenzime për fushatën zgjedhore nga Partia Demokratike, ka një diferencë prej 2.215.662 lekë, të cilat nuk janë përfshirë në shpenzime fushate por janë paraqitur si shpenzime normale të partisë, ndërkohë që përshkrimi në faturë cilësohet si shpenzim për fushatën zgjedhore. Në pasqyrat financiare partia nuk ka paraqitur të ardhura dhe shpenzime për degët e saj. Nisur nga fakti se viti 2022 ka pasur zgjedhje të pjesshme, në pasqyrat financiare nuk janë paraqitur të ardhurat dhe shpenzimet e kandidatëve

Përsa i përket Partisë Socialiste, audituesit kanë gjetur se PS nuk ka llogaritur amortizim për ndërtesën që e ka me huapërdorje sipas vendimit nr. 196, datë 19.5.1992 të Këshillit të Ministrave. Vlera e ndërtesës me huapërdorje nuk është e rivlerësuar sipas kërkesave ligjore dhe paraqitet me vlerën e vitit 1993. Llogaritja e amortizimit bëhet sipas kërkesave të nenit 22, shkronja b të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, i ndryshuar.

Partia Socialiste nuk ka paraqitur të ndarë aktivitetin e saj vjetor të zakonshëm dhe aktivitetin për fushatën zgjedhore të datës 6.3.2022.

Pagesat e kryera për shpërblimin e fund vitit si dhe pagesat për punë shtesë nga disa punonjës të saj, nuk janë përfshirë në listë pagesat e raportuara në organet fiskale. Për të gjitha këto pagesa, është llogaritur dhe është raportuar gabim tatimi në burim me tarifë 15% kur duheshin raportuar si të ardhura personale duke llogaritur tatim mbi pagën për secilin punonjës.

Gjithashtu në raport thuhet se nuk kanë kaluar nëpërmjet llogarive bankare pagesat ndaj disa punonjësve të jashtëm që kanë punuar për llogari të partisë, si dhe pagesat e shpërblimit të fund vitit.

 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese