KPA ka shtyrë për në datë 21 maj ora 15:00 shpalljen e vendimit për ankimimin e Komisionerit Publik ndaj Alfred Ballës.
Komisioneri Publik i kërkoi KPA ndryshimin e vendimit të KPK për kreun e Këshillit të Partë të Prokurorisë Komisioneri Publik. Florian Ballhysa ankimoi më herët vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për përfundimin e vettingut pa një vendim përfundimtar dhe pa sanksion ndaj kreut aktual të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla.
Ballhysa e cilësoi vendimarrjen e shumicës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese dhe kërkon ndryshimin, ku veç ndërprerjes së vettingut, kërkoi që ndaj Ballës të caktohet edhe sanksioni që i ndalon emërimin në disa pozicione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, përfshi dhe funksionin që ai mban aktualisht.
Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit për shkak të ushtrimit të detyrës si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri më 31 korrik të vitit 2017.
Kreu i KLP-së, Alfred Balla më herët tha se ankimi i komisionerit “e kishte habitur”, pasi sipas tij ishte ndjekur një praktikë tjetër për rastet analoge.
Balla tha se nuk ishte larguar me dorëheqje nga detyra si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, por ishte liruar. Sipas tij, procedura e e vettingut si këshilltar duhej të ishte pushuar pa vendim përfundimtar para 5 viteve. I pyetur nga BIRN nëse kjo situatë ndikonte në ushtrimin e funksionit të tij si anëtar dhe kryetar i KLP-së, Balla tha se “s'ka lidhje”.
Kreu i KLP-së, Alfred Balla ishte sipas legjislacionit në fuqi subjekt i vettingut për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017 dhe duhej t'i nënshtrohej procesit të rivlerësimit.
Por, dy prej anëtareve në shumicë, kryesuesja Xhensila Pine dhe relatorja Alma Faskaj, vlerësuan se Balla nuk ishte më subjekt rivlerësimi dhe se procesi i tij duhej mbyllur pa vendim përfundimtar. Pine dhe Faskaj arsyetuan se Balla nuk kishte dhënë dorëheqjen dhe se statusin e kishte humbur për shkak se ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017.
Në pakicë, komisionerja Valbona Sanxhaktari paraqiti mendim paralel. Ajo vlerësoi të rëndësishëm statusin ligjor në të cilin është gjendur subjekti në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për vettingun e magjistratëve, si dhe vullneti apo qëndrimi i Ballës në raport me ecurinë e procesit të rivlerësimit. Sipas saj, Balla ose duhej t'i nënshtrohej procesit të rivlerësimit kalimtar, ose duhej t'i nënshtrohej dispozitave të nenit “G” të aneksit të kushtetutës që përcaktojnë ndërperjen e vettingut me sanksionim 15-vjeçar.