Ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe kryeministri Edi Rama do të shkojnë nesër në Prishtinë, ditë që përkon me çlirimin e Kosovës para 25 vitesh.
Blair, i cili ka luajtur rol udhëheqës gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që ndaloi përparimet e forcave okupatore serbe dhe ndihmoi Kosovën të fitonte pavarësinë, do t’iu adresohet me një fjalim deputetëve të Kosovës nga ora 10:00.
Miku i madh i shqiptarëve gjatë ditës do të pritet në takim nga i pari i kryeqytetit Përparim Rama në orën 12:30.
Gjatë këtij takimi në objektin e ndërtesës së vjetër të Komunës së Prishtinës, ish-kryeministri britanik do të nderohet me çmimet Çelësi i Qytetit dhe Qytetar Nderi i Kryeqytetit.
Çmimi Çelësi i Qytetit do t’i dhurohet edhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama gjatë takimit me të parin e Prishtinës nga ora 16:00.
Edi Rama është i ftuar të merr pjesë në panelin e parë të konferencës ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Fondacioni Ibrahim Rugova, duke filluar nga ora 11:00.
Më poshtë agjenda e plotë e publikuar nga Vjosa Osmani:
Agjenda e aktiviteteve të Presidentes Osmani në nder të 25 vjetorit të çlirimit, për nesër (10 qershor 2024)
Në orën 08:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Mediat mund të marrin pamje vetëm tek pritja para objektit të Presidencës.
Në orën 09:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim z. Tony Blair, ish-Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.
Mediat fillimisht mund të marrin vetëm pamje tek pritja para objektit të Presidencës, ndërkaq pas përfundimit të takimit, Presidentja Osmani dhe z. Blair do të deklarohen për media.
Mediat e interesuara për t’i përcjellë takimet duhet të jenë në Presidencë në orën 07:40.
Në orën 16:00, Presidentja merr pjesë në shënimin e 146 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në orën 18:00, Presidentja merr pjesë në Ekspozitën “Reporting House” nga BIRN, në Objektin e Gërmisë, sheshi Skënderbeu në Prishtinë.
Mirëpresim ekipet tuaja!