
Kryeministri Edi Rama do t'i drejtohet nesër Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Kabinetit Qeveritar, për ligjin, korrupsionin, qeverisjen dhe një nismë të re të tij për Shqipërinë 2030. Fjala e tij do të jetë publike dhe mund ta ndiqni drejtpërdrejt në newsbomb.al një orën 10.00.
"Partia Socialiste. Qeverisja, Ligji, Korrupsioni dhe një Nismë e Re Kombëtare për SHQIPËRINË 2030. Adresim për Grupin Parlamentar dhe Kabinetin Qeveritar", shkruan Rama.
Kryeministri ndodhet në zyrën e tij dhe mban të veshur një bluzë të zezë me simbolin e kuqezi në krah, në dukje një bluzë ushtarake, të cilën ka zgjedhur ta shfaqë në fotografi.
Kjo fjalë e Edi Ramës pritet me interes, për shkak të akuzave për korrupsion ndaj disa zyrtarëve të lartë të shtetit, nga zyrat bashkiake deri në ekipin dhe kabinetin e tij, deputetë, ministra dhe një zëvendës kryeministër në arrati.
Adresimi i kryeministrit do të jetë drejtpërdrejt pak para nisjes së protestës që ka paralajmëruar opozita përpara Bashkisë së Tiranës, me kërkesën që kryebashkiaku socialist Erion Veliaj të japë dorëheqjen, pas boshatisjes së zyrave të institucionit që drejton nga SPAK.