
Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në kuadër të fushatës intensive për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, pasditen e kësaj të diele është ndalur në qytetin e Vlorës, ku dhe ka zhvilluar një takim me vajzat dhe gratë socialiste.
Nga qyteti bregdetar, Rama u ndal te arsyet se pse shqiptarët duhet të votojnë Partinë Socialiste dhe jo atë demokratike, duke thënë se kreu i selisë blu po përpiqet të bëjë “çorap” Shqipërinë, ndërsa socialistët po punojnë që t’u japin shqiptarëve mundësinë për të qenë të barabartë me çdo qytetar tjetër në Bashkimin Europian.
Ndër të tjera kryesocialisti u ndal dhe te kontrata miliona euroshe e bërë publike një ditë më parë sa i përket lobimit për t’i hequr ish-kryeministrit Berisha “non-gratën” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rama tha se 6 milionë euro për të hequr “damkën” e një person non-grata janë vërtet shumë dhe në vijim të fjalës së tij ngriti pyetjen se ku i gjeti kampi blu të gjitha këto para, të cilët ashtu sikurse kryetari i selisë rozë theksoi janë shumë herë më shumë se sa shteti shqiptar jep për të gjitha partitë politike së bashku.
“Është i njëjti personazh i njëjti shkaktar i njëjti fajtor që përsëri vjen vërdallë edhe pse tanimë herë me mendje në vend dhe herë me mendje dikur tjetër, për të kërkuar nga shqiptarët votën thjesht dhe vetëm ëpr hallin e tij krejt personal. Dhe unë besoj që të gjitha ju që jeni këtu sot, ashtu si të gjithë të tjerët që e ndjekin në përditshmen e vet këtë përballje këtë ballafaqim, jeni sot të habitura nga fakti janë paguar 6 milionë euro, është bërë një kontratë 6 milionë euro, thuhet nga patriotë, iu kujtohet që dhe herën e kaluar Luli i shkretë për 500 mijë u bë leckë edhe ai kështu tha u mblodhën ca patriotë, por 6 milionë euro për të hequr damkën e një personi non-grata janë vërtet shumë për të mos bërë pyetjen ku u gjetën gjithë ato para dhe si mundet që tyhtjesht dhe vetëm për hallin e një njeriu të paguhen më shumë para se sa çfarë shteti shqiptar jep ëpr të gjitha partitë të marra së bashku.
Pastaj është dhe pak e çuditshme kur mendon që ne na u tha se sa të vinte Trump do të ikte non grata. Tani u dashkan edhe 6 milionë euro me shpresën që do ikë non grata. Por, edhe si kur të rrijë dhe sikur të ikë kjo nuk është çështja më e shumicës dërmuese të shqiptarëve që janë sot në një moment historik dhe që duhet të marrin një vendim historik. Sepse në 11 maj nuk është nëj zgjedhje mes dy kampeve politike, absolutisht jo. Por është një zgjedhje mes Shqipërisë me BE, ne Europë dhe interesit kombëtar të një populli të tërë dhe hallit privat të një 80 e kusur vjeçari që vazhdon të prodhojë të bëjë çorap Shqipërinë”, tha Rama.
Kujtojmë se një ditë më parë u zbulua se Fondacioni Shqiptaro Amerikan do t’i paguajë një shifër që mund të arrijë deri në 6 milionë dollarë një kompanie amerikane, të zotëruar nga njerëz afër Presidentit Donald Trump, për të lobuar për llogari të Partisë Demokratike pranë qeverisë amerikane për t’ia hequr ish-kryeministrit Sali Berisha “non-gratën”.
Kapitali zbardhi kontratën e plotë të lobimit të firmosur nga Nuredin Seci, një shqiptaro-amerikan që jeton në New York dhe ish këshilltari i presidentit Trump, Carlo Trujillo, në cilësinë e Presidentit të Continental Strategy. Paralelisht kontrata është firmosur edhe nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, në cilësinë e përfituesit, një detyrim ky i kërkuar nga ligji amerikan.
Demokratët thanë se kjo shumë do paguhet nga patriotët, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi këtë të diel nisjen e hetimeve lidhur me këtë çështje.
Përmes një njoftimi zyrtar SPAK u shpreh: “Ju informojmë si vijon: Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet në lidhje me kontratën e lobimit të subjektit politik Partia Demokratike”.
Pas kësaj deklarate të Prokurorisë së Posaçme një reagim i menjëhershëm erdhi nga blutë të cilët e konsideruan SPAK si vegël të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa vijuan më tej me akuzat duke thënë se struktura e Posaçme ka “mbyllur sytë’’ teksa kartelet e drogës në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër janë përfshirë më fort se kurrë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve.
“Mesa duket kontrata e PD me avokatin e Presidentit Trump nuk ka trembur vetëm Ramën, por dhe veglat e tij. Në fakt, jo pa të drejtë! Pasi sot denoncimet e saj për McGonigal, përzierjen e karteleve të drogës të mbështetur nga Edi Rama dhe narkopolicia në procesin zgjedhor, përfshirë bashkëpunimin e heshtur të organeve të drejtësisë, kanë veshin e administratës dhe Kongresit të SHBA!
Partia Demokratike është transparente për kontratën me avokatin e Presidentit Trump, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në FARA sipas çdo rregulli! Partia Demokratike gjen dhe njëherë rastin të falënderojë patriotët e komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe ndihmën e pakursyer për çmontimin e regjimit të Edi Ramës”, thuhej ndër të tjera në reagimin e demokratëve pas nisjes së hetimeve nga SPAK lidhur me lobimin që po bëhet për heqjen nga lista e zezë e amerikanëve të kryedemokratit.