Komisioni i Posaçëm Parlamentar Anti-korrupsion me drejtues Fatmir Xhafaj është konstituar dhe pritet që të zhvillojë mbledhjen e parë ditën e nesërme
Burime për media bëjnë me dije se takimi do të zhvillohet në orën 9:30 të paradites të së premtes.
Përpos anëtarëve të këtij Komisioni, gjithashtu janë të ftuar edhe deputetët e opozitës, si dhe e pranishme do të jetë po ashtu edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Ky komision do të ketë një mandat 10 mujor dhe do të përbëhet nga 6 deputetë socialistë, si dhe 5 anëtarë nga kahu i Partisë Demokratike.
Ai drejtohet nga Fatmir Xhafaj me anëtarët socialistë Klotida Bushka, Eduard Shalsi, Etilda Gjonaj, Evis Kushi dhe Toni Gogu.
Edhe pse opozita e ka bojkotuar votimin e ngritjes të këtij komisioni, shumica socialiste caktoi të jenë anëtarë Jorida Tabaku, Dhurata Tyli Cupi , Sorina Koti, Flutura Açka dhe një vend bosh për nënkryetarin e komisionit.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar Anti-korrupsion i pagëzuar ndryshe si “Reforma në Drejtësi 2” është propozuar nga Partia Socialiste nën kundërshtimin e fortë të demokratëve, me qëllimin për të thelluar reformat shtet-formuese dhe luftën me korrupsionin.
Komisioni u miratua me 74 votat e socialistëve në seancën plenare të 30 majit, ndërsa opozita bojkotoi votimin.
Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur nëse deputetët e opozitës do të marrin pjesë apo jo në këtë mbledhje.