
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka qenë i pranishëm ditën e sotme në Konferencën Ndërkombëtare “Miqtë e Ballkanit Përëndimor” që u mbajt në Austri në datat 21 dhe 22 qershor.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri Hasani, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook. Sipas Hasanit, fokusi i diskutimeve në këtë takim ka qenë përshpejtimi i integrimit dhe mbështejtja e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
“Në takimin me “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” organizuar nga homologu i nderuar Alexander Schallenberg.
Diskutuam mbi përshpejtimin e integrimit dhe mbështetjen për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”,- shkruan Hasani.
Ministri Hasani vijoi më tej se grupi i vendeve të Ballkanit do të angazhohen plotësisht për të anëtarësuar shumë shpejt në Union, ndërsa shton se BE do të jetë më e qëndrueshme, e sigurtë dhe e plotë me përfshirjen e këtyre vendeve.
“Angazhimi për integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojë. Fokusi ynë duhet të mbeten prioritetet e tanishme me objektiv kryesor: anëtarësimin e plotë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
BE-ja do të jetë më e qëndrueshme, më e sigurt dhe më e plotë me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor”,- shkruan ministri i Jashtëm, Igli Hasani në rrjetin social Facebook.