Komisioni për Mardhëniet me Jashtë i Senatit amerikan ka miratuar kandidaturën e diplomatit David J. Kostelancik në postin e ambasadorit amerikan në Shqipëri.
Diplomati Kostelancik do të jetë pasues i ambasadores Yuri Kim, ndërsa shtojmë se ai u riemërua sërish në detyrë pas emërimit të parë në mars të vitit të shkuar. Senati rifilloi procesin për shqyrtimin e kandidaturës, pasi në përfundim të kalendarit legjislativ të vitit të kaluar, së bashku me dhjetëra emërime të tjera, ajo nuk u fut në rendin e ditës të Senatit për votim. Emërimet ishin bllokuar nga disa senatorë republikanë, një praktikë e zakonshme kjo e betejave politike në Uashington.
David J. Kostelancik është diplomat karriere i Shërbimit të Jashtëm të Shteteve të Bashkuara dhe ka shërbyer në Shqipëri edhe më herët, në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur në Tiranë. Përpara emërimit për ambasador në Shqipëri, ai shërbente si këshilltar për politikën e jashtme i shefit të shtabit të ushtrisë amerikane, gjeneralit Mark Milley. Gjatë karrierës së tij diplomatike 30-vjeçare, zoti Kostelancik ka shërbyer ndër të tjera edhe si drejtor i zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit. Ai ka shërbyer dy herë në ambasadën amerikane në Moskë, në misionet amerikane në OSBE dhe NATO, si dhe në Ankara të Turqisë. Me origjinë nga shteti Illinoi, zoti Kostelancik është diplomuar në Universitetin Northëestern të këtij shteti dhe flet gjuhët rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht