
Komisioni i Ligjeve miratoi këtë të martë ndryshimet në Kodin Zgjedhor të propozuara nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, të cilat do të hidhen për votim të enjten në seancë plenare.
Bëhet me dije se posta për votën e diasporës do të paguhet nga shteti, ndërsa është rrëzuar kërkesa e PD-së për votimin me ID të huaj. Po ashtu, është miratuar edhe numërimi i votës së diasporës me komisionerë partiakë.
Ndërkohë, me votat e mazhorancës ka kaluar edhe propozimi për afrimin e afateve për listën e kandidatëve për deputet, ndërsa mësohet se Partia Demokratike ka votuar kundër.
Po ashtu Komisioni vendosi që partitë mund të grumbullojnë fonde sa 5-fishi i lekëve që u jep shteti për fushatë.