Ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj po dëshmon sot në Komisionin Hetimor Parlamentar për Sterilizimin.
Në këtë seancë nuk kanë munguar edhe batutat nga ish-zv.ministri, i cili sot doli disa orë nga qelia për t’ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve për aferën e sterilizimit.
Rrjepaj nuk ka kursyer edhe batutat duke thënë se kishte kohë që nuk fliste në burg, pasi atje rri urtë se tjerët janë më të fortë.
“Më fal se kështu e kam zërin, se kam shumë kohë pa folur shumë kohë pa folur atje në burg, ngaqë janë më të fortë se unë dhe rri urtë”, tha ai ndër të tjera.
Po ashtu ka pasur edhe një përplasje mes Rrjepajt dhe kryetares së Komisionit, Albana Vokshi, e cila në një moment u shpreh: “zotëria është në burg për shkak se po hetohet nga SPAK”.
Kjo deklaratë e ka acaruar ish zv ministrin, i cili me tone të larta tha se po përdoret si argument qenia e tij në burg për të mbështetur akuzat e opozitës.
Pjesë nga debati:
Vokshi: A është zotëria në burg sepse po heton SPAK?
Rjepaj: Kjo është një gabim tjetër, nuk mund ta përdoresh qenien time në burg si argument për të mbështetur ato që thua
Vokshi: Jo jo, unë përkundrazi…
Rjepaj: Se mund ta përdorësh pastaj për të gjithë që janë në burg dhe të gjithë atë që janë në arrest…Unë jam i paradënuar me burg, jo paraburgim, për shkak të këtyre paragjykimeve që i keni sjellë në këto 8 vjet dhe gënjeshtrave që janë thënë këtu.; Do dalin të vërteta dhe këtu ku më keni hedhur në këtë gropë do dal jashtë i pastër, i larë dhe i parfumosur, keni për të parë.
Vokshi: Si hirushja
Rjepaj: Atje ku e drejta ka vlerë, ku standardi shkruhet me gërma të arta, ashtu do dal. Mos e përdor më argumentin është në burg dhe për rrjedhojë ka shkelje.
Vokshi: Ka mundësi të ulni tonin zoti Rjepaj
Rjepaj: Nuk e ul, jam këtu për të mbrojtur të drejtat e mia.
Vokshi: Ju e keni ngatërruar qëllimin e ardhjes tuaj këtu. Ju jeni këtu sepse ju ka ftuar komisioni për çështjet administrative.