
Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës dhe njëherësh dhe koordinatori i diasporës në Bashkinë e qytetit bregdetar, Klevis Kaso ka ardhur me një videomesazh për të gjithë shqiptarët që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit.
E teksa votat e para të shqiptarëve të diasporës kanë mbërritur në vendin tonë, Kaso i është drejtuar të gjithë emigrantëve që të zbatojnë me përpikmëri udhëzimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të votuar në kohën e caktuar dhe në mënyrë korrekte.
Ndër të tjera, kandidati i socialistëve për një karrige në parlamentin e ardhshëm, u ka kërkuar shqiptarëve të diasporës që të votojnë për Shqipërinë europiane dhe këtë sipas Kasos e mundëson vetëm forca politike në të cilën dhe ai bën pjesë
“Të dashur shqiptarë të diasporës, një proces kaq i rëndësishëm si vota e diasporës meriton gjithë vëmendjen e duhur për të ndarë me ju disa porosi. Si koordinator i diasporës i Bashkisë Vlorë kam njohur nga afër qindra prej jush.
Kam dëgjuar historitë tuaja të sakrificës dhe të punëve me mundim, por me dinjitet. Kam takuar fëmijët tuaj të cilët i keni ushqyer me dashuri për Shqipërinë dhe se mezi presin shansin e parë për tu kthyer në vendin tonë dhe për ta bërë Shqipërinë gati për në Bashkimin Europian.
Nëpërmjet këtij videomesazhi dua t’iu inkurajoj për të qenë sa më të saktë dhe korrekt me udhëzimet që KQZ ka sjellë për secilin prej jush nëpërmjet fletëve të votimit. Do t’ju lutesha që të dërgoni në kohë dhe brenda afate votën tuaj aq të rëndësishme për Shqipërinë Evropiane. Së bashku do t’ia dalim, prandaj votoni korrekt, pa vonesë dhe me zgjedhjen e duhur për Shqipërinë në BE dhe zgjedhja e duhur është numri 5”, dëgjohet të thotë Klevis Kaso.