Gjykata e Lartë nuk ka pranuar kërkesën e liderit të PD, Sali Berisha, i cili kërkoi leje për të marrë pjesë në Kuvend.
"Mospranimin e rekursit te paraqitur nga Sali Berisha, kundër vendimit me nr. 57(87-2024-84), datë 25.03.2024, te Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar," thuhet në vendim.
Më 16 janar të këtij viti avokatët e Berishës i dërguan kërkesë Prokurorisë së Posaçme, që të lejojnë Sali Berishën të marrë pjesë në seancat parlamentare.
Avokatët pretendojnë se është e drejtë dhe detyrim kushtetues si person i zgjedhur nga sovrani, për të ushtruar të drejtat dhe liritë politike sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Sali Berisha qëndron në masën e sigurisë "Arrest në shtëpi" me mbikëqyrje policore prej mesditës së datës 30 Dhjetor 2023. Ai akuzohet bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, për aferën e ish-kompleksit Partizani.
Por për çfarë akuzohet Sali Berisha?
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë e akuzon ish-kryeministrin, dhëndrin e tij dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi për veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani”.
Në vijim të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga:
Shtetasi Sali Berisha, është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
1. Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi.
2. Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.
3. Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.