
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri britanik Keir Starmer po mbajnë një konferencë për shtyp pas mbërritjes së tij në Tiranë mëngjesin e sotëm.
Starmer në fjalën e tij tha se është i lumtur që dy vendet bashkëpunojnë partneritetin strategjik mes dy vendeve. Ai u shpreh i bindur se dy vendet do të punojnë më tej për të shtuar sigurinë në rajon duke punuar së bashku për prodhimin dhe shitjen e mjeteve ushtarake.
Ai u pyet në lidhje me azilkërkesit dhe emigrantët shqiptarë të cilët kanë mbërritur në Mbretërinë e bashkuar masivisht vitet e fundit.
“Hotelet e azilantëve i kemi problem, se qeveria e mëparshme ka bërë një eksperiment me kufij të hapur. Dhjetra mijëra azilantë mbetën se as nuk iu jepnin përgjigje, as nuk i kthenin.
Puna që ne kemi bërë me Shqipërinë është jetike, tashmë kemi kthyer 24 mijë persona nga Mbretëria e Bashkuar.”
Nga delegacionet e dy qeverive, do të firmosen dy marrëveshje. Njëra do të firmoset nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu për eksportet dhe bashkëpunimin industrial. Marrëveshja e dytë nga ministri i Jashtëm Igli Hasani, e cila ka të bëjë me çështjet me interes të përbashkët, një prej të cilave është emigracioni.