E teksa kreu i qeverisë Shqiptare pritet të udhëtojë drejt Athinës përgjatë ditëve në vijim, drejtuesi i SYRIZA-s, Stefanos Kasselakis, ka ardhur në vendin tonë. Ai është ndalur në zonën e Dropullit ku dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me qytetarët e kësaj zone.
Përgjatë këtyre takimeve Kasselakis u shoqërua nga konsulli grek në Gjirokastër Dimitrios Sacharidis, dhe kryetari i bashkisë Dropull Dhimitër Toli. Gjatë këtij takimi kreu i partisë opozitare greke u njoh me arsimin grek në zonën e minoritetit dhe problemet e tyre.
Vizita e tij ka ardhur në kuadër të fushatës të takimeve për kandidatët e propozuar për eurodeputetë në Parlamentin Europian. Sakaq është ende në pikëpyetje nëse Kasselakis do të zhvillojë takim me minoritetin edhe në Himarë. Kujtohet se Himara ka qenë në qendër të marrëdhënieve greko-shqiptare pas burgosjes së kryebashkiakut të zgjedhur të qytetit, Fredi Beleri, ndërsa ai tashmë është kandidat për eurodeputet me partinë e Kyriakos Mitsotakis, nën logën e partisë së Demokracisë së Re.
Ndërkohë, theksojmë se ditën e djeshme partia opozitare në Greqi, SYRIZA, e quajti provokim vizitën e kreut të qeverisë shqiptare në Athinë më 12 maj pasi përkon me 1 vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit.
“Vizita e paralajmëruar e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Greqi, në datën e përvjetorit të paraburgimit të Fredi Belerit, është një veprim provokues, i cili nxjerr në pah mungesën e një politike koherente për Ballkanin Perëndimor nga Qeveria e Mitsotakis”, thuhej në deklaratën e opozitës greke, teksa i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.
Përmes një postimi në platformën “ X”, Rama tha se vizita e tij në Athinë nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Greqi, apo ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë.