
Në një debat të fortë televiziv në Top Story, deputeti Agron Shehaj ka zbuluar të dhëna konkrete mbi bizneset e tij. Ai ka paraqitur live dokumente që tregojnë bilancin e kompanive të tij. Shehaj shpjegoi se të ardhurat dhe investimet e tij janë të gjitha të deklaruara dhe transparente.
Deputeti po ashtu publikoi një listë të pagave të vitit 2021 për 40 kompanitë më të mëdha në Shqipëri, ku sipas tij, bizneset e tij renditen përkatësisht në vendin e 9-të dhe të 21-të për pagat më të larta.
Pjesë nga debati:
Agron Shehaj: Ky është ekstrakti i partisë tim, tani kanë mbetur 130 mijë euro. I kam futur unë ato para.
Adratik Lapaj: Pra ti thua, partia ime, biznesi im. Këtë gjë nuk e lejon ligji.
Agron Shehaj: Lëri broçkullat Adriatik. Unë kam disa biznese. Kam dy kompani dhe kam bashkëpunuar me kompani të mëdha ndërkombëtare. Po të punosh paratë bëhen. Kjo është lista e pagave të viti 2021, të 40 kompanive në Shqipëri. Kompanitë e mia për rrogën, e para është e 9, ndërsa e dyta e 21 në radhë. Janë këtu të gjithë oligarkët me rroga shumë herë më të vogla.
Unë kam rroga të larta dhe të gjitha të deklaruara. Ky është fakt. Unë kam punësuar të paktën 50 mijë të rinj dhe të reja, që kanë marrë të paktën një rrogë. Dhe nëse jam krenar për atë çka kam bërë për Shqipërinë. Nëse unë nuk do kisha trajtuar mirë punonjësit, mua do më kishte dalë boja. E vërteta është se ne kemi ndikuar në rritjen e pagës mesatare.