Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, si dhe njëkohësisht deputeti i PS-së, Eduard Shalsi është shprehur i shqetësuar pas vetëflijimit të Pal Trashaj para dyerve të SPAK dy ditë më parë.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare në Kuvend, Shalsi tha se ky rast është një këmbanë alarmi për institucionet e drejtësisë, ndërsa shtoi se ai dhe shumë anëtarë të tjerë të kabinetit nuk kanë vënë gjumë në sy që prej shënimit të kësaj ngjarjeje të rëndë në kryeqytet.
“Realisht kam dy ditë që nuk e bëj gjumin e qetë pas atij rasti. Natyrisht është një këmbanë alarmi ajo që ka ndodhur para dyerve të SPAK. Po më duhet ta pohoj që nuk e bëj gjumin e qetë, dhe janë shumë prej nesh që nuk e bëjnë gjumin e qetë nga ajo ngjarje”,- tha deputeti i PS-së, Shalsi.
Gjithashtu Shalsi akuzoi opozitën se po sulmojnë paturpësisht institucionet e pavarura të drejtësisë shqiptare, dhe shpeshherë duke dezinformuar për punën e tyre.
Deputeti i PS-së, Shalsi shprehet se po merret shumë seriozisht me këtë rast dhe se po grumbullon të dhëna faktike për të vënë para përgjegjësisë autorët e vërtetë të kësaj ngjarjeje të rëndë, por evidenton se nuk mund të drejtojë gishtin drejt personave që përfaqësojnë drejtësinë dhe as të shtojë gjëra të pavërteta në deklaratat e tij.
“Por ama të përdorësh, atë ngjarje për të sulmuar paturpësisht instiutucionet e pavarura, ku nga njëra anë bëjnë si të merakosur se po ndërhyhet në kompetencat e tyre, e nga ana tjetër ndërhyjnë edhe duke dezinformuar rreth veprimtarisë së tyre.
Unë po merrem shumë seriozisht me atë rast dhe po grumbulloj të dhëna shumë të detajuara që të kuptoj se kush janë fajtorët për atë ngjarje dramatike.
Dhe natyrisht nuk mund të them se ato janë prokurorët, nuk mund të them se i kanë marrë shtëpinë kur nuk ka ndodhur”,- është shprehur deputeti i Ps-së, Eduard Shalsi.
Pal Trashaj piu fostoksinë të hënën e 2 korrikut para dyerve të SPAK, në kërkim të dëshpëruar për të gjetur drejtësinë e munguar prej vitesh. 63 vjeçari ishte viktime e mikrokredive, dhe jo shumë kohë më parë përmbarimi i kishte sekuestruar pronën në këmbim të shlyerjes së kredisë.
Trashaj pretendonte se e kishte paguar kredinë, dhe shkoi para SPAK të takohej me një hetues të BKH-së për t’i ofruar një zgjidhje problemit të tij.
Pasi priti disa orë dhe nuk mori një përgjigje, ai konsumoi fostoksinë. Edhe pse menjëherë mori ndihmën e parë dhe u pa teksa largohej në këmbë për në ambulancë, duket se gjendja shëndetësore e Trashajt u përkeqësua pasi ndërroi jetë një ditë më pas.