Hapësire reklamuese

Politikë

Kallëzim i ri në SPAK për Xhelal Mziun, deputeti: Hetimi ka nisur për tenderat që kam firmosur në 2019

Shkruar nga Newsbomb
Kallëzim i ri në SPAK për Xhelal Mziun, deputeti: Hetimi ka nisur
Momenti kur Xhelal Mziu shkon ne SPAK, Korrik 2022

Xhelal Mziu, deputet i Partisë Demokratike dhe ish-kryebashkiak i Kamzës për disa mandate, është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme. Ai është thirrur nga një prokuror i SPAK dhe është marrë në pyetje për rreth një orë nga oficerët e Byrosë Kombëtare.

Konkretisht, është prokurori i posaçëm Elvin Gokaj që ka kërkuar paraqitjen e Xhelal Mziut në organin e akuzës, për një rast që ai po heton për abuzim me tenderat, raporton newsbomb.al.

Jozyrtarisht bëhet me dije se ish-kryebashkiaku i Kamzës po pyetet për dy procedura prokurimi për pastrimin e territorit në varësi të bashkisë që ai drejtoi për tre mandate ose 12 vjet. Kjo është hera e dytë që Xhelal Mziu paraqitet në SPAK dhe po pyetet nga oficerët e BKH-së.

Këtë të hënë, 3 Qershor ai ka qëndruar vetëm një orë në Prokurorinë e Posaçme dhe ka sqaruar se ka qenë në cilësinë e personit që ka dijeni.

"Isha në lidhje me një çështje për dijeninë time. Ishte thjesht një denoncim nga këshilltarët e PD në lidhje me pastrimin. Ka ndodhur në vitin 2019. Isha si person në dijeni", u shpreh Xhelal Mziu për gazetarët që ishin duke e pritur sot jashtë ambienteve të SPAK.

Kur shkoi në SPAK dy vite më parë, në Korrik 2022, deputeti demokrat qëndroi tre orë brenda ambienteve të organit të akuzës dhe tha se kallëzimi për të ishte bërë nga Rakip Suli. Ky i fundit ish-deputet i PS dhe aktualisht pasues i Xhelal Mziut në Kamëz.

“U thirra në SPAK pas kallëzimit të Rakip Sulit. Nuk mund të flas për hetimin. Dhashë të gjitha deklarimet e mia", tha në atë kohë deputeti i Partisë Demokratike.

Një nga kallëzimet e mëparshme ndaj Xhelal Mziut është duke u hetuar nga prokurori i posaçëm Klodian Braho, raporton newsbomb.al, ndërsa ky i sotmi po hetohet nga Elvin Gokaj, çka shton dyshimet se ndaj deputetit ka hetime të reja që mund të çojnë edhe drejt një mase sigurie.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese