Juristi dhe aktivisti Adriatik Lapaj, ka publikuar shkresat që i janë propozuar Kuvendit për Amnistinë Penale dhe thotë se Gazment Bardhi në emër të "opozitës shqiptare" ka kërkuar që me amnistinë penale, personave të dënuar nga Gjykata e Posaçme t'u ulet dënimi nga 2 vite burg për burrat dhe 1.5 vite burg për gratë.
"Pra, pasi na vjedhin dhe ndonjë kapet nga drejtësia, del Opozita dhe i ul 2 vite burg qyl", shkruan juristi.
Sipas tij, kjo e sotmja do të shënohet si një nga ditët më të zeza të opozitarizmit në Shqipëri. Lapaj evidenton se qeveria socialiste çuditërisht kishte kërkuar në draftin e saj që të akuzuarit nga SPAK dhe rrjedhimisht të dënuar nga Gjykata e Posaçme të mos përfitojnë nga amnistia, por Bardhi ka propozuar të kundërtën.
"Çuditërisht pushteti kishte propozuar 1 draft ku neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale që bënë fjalë për kategoritë e veprave penale që Gjykohen nga Gjykata e Posaçme ishte përjashtuar nga amnistia penale dhe ulja e dënimit, por "opozita" ka propozuar si amendament që për nenin 75/a të përjashtohen nga ulja e dënimit vetëm rastet e gërmave b,c,ç duke lënë si përfitues ata që i kap gërma "a" që në fakt janë veprat që kam listuar sipër", thotë Adriatik Lapaj.
"Në shtetin më të korruptuar të Europës, Z. Gazmend Bardhi, në emër të "opozitës" shqiptare, i ka propozuar Parlamentit që me amnistinë penale, personave të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit t'u ulet dënimi nga 2 vite burg për burrat dhe 1.5 vite burg për gratë", thotë ai, duke renditur më poshtë të gjitha veprat respektive:
Neni 244 - "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike";
224/a- "Korrupsioni aktiv i nënpunësve të huaj publikë";
245- "Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë";
245/1- "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike";
257- Përfitimi i paligjshëm i interesave";
258- "Shkelja e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike";
259- "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike";
259/a- "Korrupsioni pasiv i nënpunësve të huaj publikë";
260- "Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë";
312- "Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, ekspertit, përkthyesit;
319- "Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë";
319/a- "Korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarëve të gjykatave ndërkombëtare";
319/b- "Korrupsioni aktiv i arbitrit vendas e të huaj";
319/c- "Korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja";
319/ç- Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe organeve të tjera të drejtësisë";
319/d- "Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare";
319/dh- "Korrupsioni pasiv i arbitrit vendas ose të huaj";
319/e- "Korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja".