
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka dhënë një tjetër intervistë nga arratia. Ndryshe nga intervistat e kaluara të dhëna për Syri Tv për Çim Pekën, ish-numri dy i qeverisë Rama është pyetur së fundmi nga Vincent W.J. van Gerven Oie.
Ai ka folur për përvojën e gjatë në qeveri, por edhe për të ardhmen e Shqipërisë. I pyetur se kur mund të kthehet në atdhe, Ahmetaj tha se është i gatshëm të prekë sërish tokën shqiptare vetëm atëherë kur sipas tij kryeministri Edi Rama të ketë humbur kontrollin mbi sistemin e drejtësisë.
“Mendoj për këtë çdo ditë. Kur ta kuptoj që Kryeministri ka humbur kontrollin e tij mbi drejtësinë, atëhere do të kthehesha—edhe në burg, nëse do të doni”, theksoi ish-zv.kryeministri.
Ndërkohë, në vijim të kësaj interviste u pyet dhe për të ardhmen e vendit tonë, se si do të jetë ajo. Sipas ish-zv kryeministrit në Shqipëri mungon demokracia dhe se nuk ka ende një proces politik normal, nuk ka debate të zjarrta kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
“Është e vështirë të thuash. Unë ende nuk shoh procese politike normale atje, nuk shoh debatin e zjarrtë kundër krimit të organizuar, kundër varësisë politike të drejtësisë, kundër korrupsionit, për një parlament funksional, për media të pavarura. Ende nuk ekziston ky debat.
Kam një teori se e gjitha është e orkestruar me qëllim që debati të drejtohet në drejtime të tjera, në çështje fallco. Nuk mund të parashikoj.
Jam larg nga terreni tani, por një gjë mund t'ju them se sot, Shqipëria nuk është një vend demokratik. Dhe nuk është as një demokraci hibride. Është një autokraci e pastër personale, përverse në çdo drejtim”, tha Ahmetaj.
Kujtojmë se Arben Ahmetaj ndodhet në arrati që prej vitit 2022, ndërsa është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, ku dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke shkaktuar një dëm ekonomik buxhetit shtetëror.
Nga Zvicra ku ka aplikuar për azil, ish-zv.kryeministri ka refuzuar përballjen me drejtësinë shqiptare, duke thënë se procesi dhe provat janë manipuluar, për ta goditur atë politikisht. Ai ka thënë se do të përballet me drejtësinë vetëm kur ajo të jetë e drejtë dhe e vërtetë.