
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi nuk heq dorë për të pasur një përballje me kryeministrin Edi Rama në Kuvend, për denoncimin që vetë deputeti PD ka bërë për Olsi Ramës.
Pasi iu rrëzua kërkesa për interpelancë me kryeministrin Rama, Bardhi tashmë këkron mocion me debat mbi problematikën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vendin tonë.
“Policia dhe Prokuroria nuk arritën gjithashtu të zbardhnin të plotë identitetin e të gjithë bashkëpunëtorëve, të lidhur me grupin kriminal, për të cilët Prokuroria do të regjistronte procedimin penal nr. 335/1 i vitit 2016. Por, dy vite më pas ky procedim penal do të pezullohej pasi Prokuroria do të shpallte pamundësinë për identifikimin e këtyre individëve. Dokumentet zyrtare nga dosja gjyqësore dhe sistemi TIMS ngrejnë dyshime serioze se një prej këtyre bashkëpunëtorëve të paidentifikuar mund të jetë Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama.
Këto dyshime bazohen në faktin se një prej bashkëpunëtorëve të paidentifikuar është një shtetas 45 vjec, me flokë të shkurtër, përdorues i automjetit AA 653 DM. Olsi Rama asokohe ishte 45 vjec, me flokë të shkurtra dhe përdorues i automjetit AA 653 DM, i përdorur edhe nga pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal Genci Xhixha, Gentian Gjonaj dhe Ermal Hoxha. Sipas të dhënave tësistemit TIMS nga 18 hyrje-dalje të makinës, 7 prej tyre i përkasin Olsi Ramës. Sipas gjykatës, policia dhe prokuroria kanë kryer hetime të mangëta dhe nuk kanë identifikuar bashkëpunëtorët e grupit. Përdorimin e këtij automjeti dhe njohjen me eksponentët e grupit kriminal do ta pohonte edhe vetë Olsi Rama ditën e publikimit të denoncimit, 28 Mars 2024.
Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të nenit 98, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë mocion për zhvillimin e debatit parlamentar mbi problematikën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vendin tonë”, thuhet në kërkesën e Bardhit.
Kujtojmë që javën që shkoi Bardhi kërkoi interpelancë me Ramën, por kërkesa u refuzua, teksa kreu i qeverisë bëri edhe një reagim në rrjetet sociale, duke thënë se kërkesa për interpelancë duhet të jetë për punën e qeverisë dhe jo për gënjeshtra, duke iu referua denoncimit nga PD për vëllain e tij, Olsi Rama.