
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ishte planifikuar të mbahej më 27 dhjetor. Gjykata Kushtetuese njofton se “për arsye objektive seanca do të zhvillohet më 17 janar 2025”.
Berisha ankimoi në Kushtetuese masën e arrestit të shtëpisë lidhur me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Muajin e kaluar Gjykata Kushtetuese doli me njoftim duke pranuar kërkesën e ish-kryeministrit për të përshpejtuar procesin ndaj ankimimit.
“Në datën 26.11.2024 Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim kërkesën për “Përshpejtimin e gjykimit”, të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha në datën 25.11.2024, ka vendosur: – pranimin e kërkesës për përshpejtimin e gjykimit, si dhe reduktimin e afateve të palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe qëndrimeve të tyre, si dhe caktimin e seancë plenare mbi bazë të dokumenteve në datën 27.12.2024, ora 10:00″, thuhej në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 nëntor 2024.
Ndërkohë në seancën e 21 nëntorit, Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin lidhur me ankimimin e depozituar nga Berisha përsa i takon dy masave të para të SPAK, “detyrim paraqitje” dhe ndalim të daljes jashtë vendit, për të cilat Prokuroria Speciale anashkaloi autorizimin nga Kuvendi.
GJKKO me shumicë votash, vlerësoi se legjitimohet i drejtë rruga që SPAK ka ndërmarrë duke shkuar t’i kërkojë GJKKO-së masë sigurimi "detyrim me paraqitje" për Sali Berishën pa qenë nevoja të kërkonte autorizimin nga Kuvendi.
Ndërsa, Gjykata Kushtetuese rrëzoi masën e SPAK ndaj Berishës sa i takon bllokimit të pasaportës dhe daljes jashtë vendit. Ndërsa për Jamarbër Malltezin la në fuqi masën e GJKKO të arrestit shtëpiak.