Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka vendosur që këtë Fitër Bajram ta kalojë pranë familjes Bodinaku, një familje e njohur tiranase. Në llogarinë e tij në “Facebook”, Meta ka postuar një foto krah Ylli Bodinakut, heroit të demokracisë shqiptare, i cili mesa duket është dhe një tifoz i zjarrtë i bardhebluve.
“Nga sofra bujare e familjes së dashur dhe patriotike tiranase Bodinaku, së bashku me Yllin e demokracisë, ju uroj edhe njëherë: Gëzuar Fitër Bajramin!”, shkruan Meta.
Ylli Bodinaku njihet nga të gjithë si personi i cili më 2 korrik 1990 çau murin e Ambasadës Gjermane. Në 2 korrik 1990 me mijëra shqiptarë u dyndën në Ambasadën gjermane, me shpresën për tu larguar nga vendi. Ishte pikërisht kjo Ambasada e cila u bë nisja e asaj që u quajt “ngjarjet e ambasadave”.
Por, simboli i asaj dite, ishte një kamion i cili çau në mes murin e Ambasadës Gjermane.
Ishte një djalë rebel, trim, i cili vendosi që të ndërmerrte këtë hap. Ai ishte Ylli Bodinaku, i riu nga Tirana, i cili u quajt nga Ambasada aso kohe “hero”.