Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar se ka nisur zyrtarisht procedurat e divorcit me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.
Në një deklaratë për media të dhënë ditën e sotme nga selia e PL-së, Meta shprehet se për këtë vendim ishte në dijeni vetëm djali dhe motra e tij, ndërsa shton se një ndër arsyet që e dërguan të ndërmarrin këtë veprim ishte mospërputhja e mendimeve rreth disa çështjeve të rëndësishme politike.
Meta evidenton se pas deklaratave që gruaja e tij, Monika bëri pas daljes nga SPAK thelloi edhe më shumë ndarjen duke bërë që ai të marr këtë vendim për të shkëputur rrugët e jetës bashkëshortore me Monikën.
“Sa i takon vendimit, ai është marrë pas deklaratave të bëra nga ana e zonjës pas pyetjeve në SPAK. Në mënyrë formale, ky vendim do të ndiqet edhe në rrugë juridike, këtë e ka ditur vetëm djali dhe motra ime.
Kreu i Partisë së Lirisë vijon duke thënë se komunikimet me Monikën i ka shkëputur që me 27 prill në Konventën e PL-së, ndërsa shprehet se rruga ligjore e ndërmarrë do t'i jap fund keqkuptimeve të krijuara mbi qëndrimet e tij publike.
Meta beson se ky akt i ndërmarrë nga ai nuk do të sjellë probleme të tjera, pasi gjithçka e tij i përket Kryemadhit dhe 3 fëmijëve.
Që përpara konventës nuk ekziston asnjë komunikim midis nesh, nuk besoj se do ketë ndonjë problem juridik, pasi unë mendoj që kjo do t’i japë fund çdo keqkuptimi apo mjegulle të krijuar në publik mbi qëndrimet e mia, dhe njëkohësisht unë besoj se nuk do të ketë asnjë problem pasi gjithçka i përket zonjës Kryemadhi dhe 3 fëmijëve të mi”,- tha Meta.
Gjithashtu, kreu i Partisë së Lirisë, Meta shtoi se ai nuk mban përgjegjësi për askënd tjetër, përpos vetes së tij si një qytetar përpara ligjit dhe popullit shqiptar.
“Ilir Meta mban çdo përgjegjësi për veten e tij përpara ligjit dhe popullit shqiptar, por nuk mban asnjë përgjegjësi për të tjerët”,- përfundoi ai.
Kujtojmë se njoftimin e ndarjes, ish-Presidenti Ilir Meta e konfirmoi mbrëmjen e djeshme në emisionin e Çim Pekës, ku u shpreh se pas deklaratave të saj në SPAK, Monika nuk është më gruaja e tij, por ish-gruaja.
Për këtë vendim të tij, Monika nuk ishte në dijeni dhe lajmin e ndarjes e mësoi nga televizori. Më pas, Kryemadhi kërkoi që Meta t'i tregonte arsyet që e kishin çuar në kërkesën për divorc, të depozituar të enjten në Gjykatën e Tiranës.